Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ndonëse mjekësia ligjore ende nuk ka dalë me një konkluzion zyrtar nëse Gazmend Tahirllari nga Korça ka vdekur si pasojë e dhunës, autoritetet e policisë kanë ekzekutuar tashmë disa urdhër arresti, duke prangosur së pari komandantin e grupit të gatshëm në Korçë.

Albert Myftari 32 vjeç, doli para gjykatës, e cila vendosi ndaj tij masën e sigurisë, burg pa afat, sepse policia e akuzon atë për shpërdorim detyre. Me këtë akuzë dhe atë të torturës, mësohet se do të dalin përpara drejtësisë edhe disa policë të grupit të gatshëm, të cilët kanë bërë shoqërimin e Tahirllarit, në ditët e para të Janarit në polici.

Ky rast ka bërë që Ministri i Rendit Luan Rama të urdhërojë dhe largimin nga detyra e drejtorit të policisë së Korçës, Arben Dashi. Ndërkohë pritet që në orët e vona të pasdites të kthehen nga ky qytet tre mjekët ligjor të cilët do të shpallin zyrtarisht përfundimet e ekspertizës së kufomës së zhvarrosur mëngjesin e ditës së hënë.

Deri tani dihet se nga autopsia që i është bërë viktimës Gazmend Tahirllari, pak orë pas vdekjes rezultoi se niveli i alkolit që ai kishte në gjak, qe 3 gram për mijë. Për mjekët ligjor kjo është ndër sasitë më të mëdha për trupin e njeriut, gjë që mund të shkaktojë ose të paktën të rrisë mundësinë e vdekjes tek një person. Ndërsa shpjegohet se në këto kushte ai të ketë pasur një reagim tepër agresiv./tvklan.al