Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu zhvilloi një takim me Ministrin e Rendit, Prokurorin e Përgjithshëm dhe të gjithë drejtuesit e policive të rretheve. Kjo është hera e parë pas 13 vitesh në Shqipëri, ku Presidenti i Republikës takon drejtuesit e policive.

Duke iu referuar vërejtjeve të raportit të ODHIR-it për zgjedhjet e kaluara mbi veprimtarinë e policisë, e cila ka qenë vazhdimisht nën akuza nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, si dhe disa rasteve të shëmtuara të këtyre ditëve, presidenti nënvizoi, se duhet të forcohet besimi, që policia është realisht e pavarur, se ajo varet vetëm dhe vetëm nga ligji dhe Kushtetuta. Kjo ka shumë rëndësi për imazhin e brendshëm dhe të jashtëm. Jemi nën një monitorim shumë të rreptë, theksoi presidenti.

“Duhet të themi që policia është e mbushur me njerëz pandërgjegjshëm politikisht, gjë që shkakton dëm të pallogaritshëm. Në polici ka mangësi në përgatitjen profesionale, në njohjen e ligjeve, në sjelljen me publikun. Shpesh ajo sillet njësojë si me kriminelin ,ashtu dhe me qytetarin e thjeshtë”, ka përfunduar presidenti.

Ky takim i kreut të shtetit me përfaqësuesit e policisë është pjesë e veprimtarisë së tij për të garantuar një proces sa më të rregullt për zgjedhjet vendore, pasi ky proces konsiderohet si shansi i fundit për integrimin e Shqipërisë në BE. Presidenti ka theksuar një gjë të tillë në seancën e parë të çeljes së sesionit parlamentar, si dhe në takime të ndryshme që ka zhvilluar kohët e fundit me përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore./tvklan.al