Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Ministri i Rendit Luan Rama ka analizuar ngjarjet e 10 ditëve të fundit, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës në një mbledhje nga ku janë shkarkuar apo ulur në detyrë oficerë të policisë në këtë qark. Rama ka hyrë në mbledhjen analizë për të prezantuar Tonin Vocaj, si kryepolicë të Qarkut të Durrësit, duke shprehur si dhe në rastet e mëparshme bindjen se autorët e ngjarjeve do të arrestohen shumë shpejt.
Duke vlerësuar 10 muajt e punës së Pashk Tushës si drejtor i policisë së këtij qarku, ministri i rendit dhe drejtori i policisë kanë publikuar shkarkimin e komplet efektivëve të kontrollit të brendshëm në Qarkun e Durrësit dhe Lezhës, për paaftësi në zbulimin e veprimeve që çuan në ekzekutimin e Gani Malushit.
Luan Rama:- “Që tani urdhëroj drejtorin e shërbimit të kontrollit të brendshëm, të përgatisë urdhrat për shkarkimin nga detyra të të gjithë punonjësve të strukturës së shërbimit të kontrollit të brendshëm në drejtorinë e policisë të Qarkut të Durrësit dhe të Qarkut të Lezhës, sepse detyra kryesore e këtij shërbimi është parandalimi dhe njohja e situatës brenda radhëve të policisë përpara se sa të ndodhin ngjarjet”.
Gjithashtu është bërë emërimi i Milto Kordhës si shef i komisariatit Durrës. Ministri Rama, njëkohësisht dhe anëtar i kryesisë së PS, ka kërkuar nga shefi i ri i policisë së Durrësit, kryekomisar Tonin Vocaj, gjetjen dhe dorëzimin përpara drejtësisë së autorëve të vrasjes. Sipas Ramës, ka dhe nga ata që po fërkojnë duart pas ngjarjeve, me shpresë se mund të fitojnë disa vota më shumë në zgjedhje.
Luan Rama:- “Ne do të çojmë përpara drejtësisë vrasësit, për t’ju dhënë një përgjigje të merituar dhe atyre që fërkojnë duart pas ngjarjeve të tilla dhe se mund të mendojnë se mund të marrin ndonjë votë më tepër, duke spekuluar me gjakun e policëve të vrarë në krye të detyrës./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj