Aleks Ndreka i njohur ndryshe si “Leksi i Druve” është arrestuar në Milano nga policia italiane për llogari të drejtësisë shqiptare. Ndreka u ndalua në aeroportin e Malpensas gjatë ditëve të fundit.
47-vjecari ishte në kërkim nga SPAK për atë që njihet si dosja “Metamorfoza 1”. Ndaj ti Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg në mungesë. Aleks Ndrekës i janë bërë 3 atentate dhe tek i fundit u tentua që të eliminohej me dron, ngjarje për të cilën ka dhënë shpjegime në SPAK duke treguar se kush donte ta vriste.
Deklarimi i tij është një nga dëshmitë kyçe për operacionin “Revanshi” që çoi në firmosjen e 50 urdhër-arresteve nga SPAK dhe zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda kriminale.
Në dosjen “Metamorfoza 1” Aleks Ndreka dyshohet se ka kryer disa vepra të rënda penale nga sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje deri tek pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal. Këto vepra dyshohet se janë kryer në dëm të Dorian Duli, Ibrahim Lici dhe Genc Tafili. Ndreka ka pasur për detyrë që të siguronte informacione mbi lëvizjet që kryenin tre shënjestrat.
Të dhënat 47-vjecari do të ja jepte Prek Kodrës një nga njerëzit më të besuar të Pëllumb Gjokës i cili bashkëpunonte me Behar Bajrin. Në këtë rast Bajri kishte rolin e porositësit. Leksi i druve u tregonte anëtarëve të grupit Bajri se 3 personat që ata kërkonin të vrisnin do të merrnin pjesë në varrimin e Indrit Rrajës në Fushë-Krujë.
Atentati i parë ndaj Aleks Ndrekës u bë më 1 dhjetor të 2020 në autostradën Lezhë-Laç. Ai i shpëtoi breshërisë së plumbave, por mbeti i plagosur. Më pas në Mars 2022, ai i shpëtoi një tjetër atentati falë xhupit me pupla dhe plumbat nuk depërtuan në trup.
Ndërkohë atentati i tretë me dron dështoi për shkak se kishte punonjës policie në banesën e Ndrekës. Në 2024 sipas hetimeve të SPAK dyshohet se Arian Tuku, 36 vjeç nga Lezha, dhëndri i Arben Ndokës, ish-deputetit të PS-së, ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën.
Ky i fundit i njohur dhe si Aleksandër Doda ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e PS, Arben Ndoka. Kjo pasi kishte dyshime se Ndreka kishte lidhje me ekzekutimin e të vëllait ish-politikanit, Aleksandër Ndoka.
Klan News