Një punonjës i policisë së Fierit dhe 3 persona të tjerë janë arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotikëve. Lorenc Gropa me detyrë Trup Shërbimi i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit Fier është arrestuar mbrëmjen e djeshme.
Ai akuzohet se është pjesë e grupit të personave që shisnin lëndë narkotike, por edhe armë, veprimtari të cilën e kryenin në ambientet e një bar kafe, në qytetin e Patosit. Gjithashtu në pranga kanë rënë si pjesë e grupit edhe Klevis Gropa, Ledjon Gropa dhe Skerdilajd Levendi.
Nga kontrolli i banesës së punonjësit të policisë u sekuestruan në cilësinë e provave materiale një qese me pluhur të bardhë, në dukje lëndë narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 41,25 gr, 2 cigare me lëndë narkotike hashash, 2 peshore për peshimin e lëndës narkotike, një armë zjarri tip TT, një armë zjarri e llojit Karabinë dhe 11 aparate celularë.
Mësohet se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike kryhej prej disa muajsh. Lokali në Patos ishte në pronësi të policit Lorenc Gropa, por menaxhohej nga kushëriri i tij, i cili dyshohet se ishte personi kyç që bënte shitjen e lëndës narkotike. I përfshirë ishte edhe polici, por ishte i kujdesshëm të mos dilte në skenë.
Agjentët e AMP kanë kryer disa herë blerje të simuluar në lokal, duke u kamufluar si klientë. Dy muajt e fundit, lokalin mësohet se ia kishin dhënë me qira një tjetër personi. Rastësisht është zbuluar trafiku i armëve, pasi në celularin e babait të policit janë gjetur komunikime me Skerdilajd Levendin për të dërguar armë në Greqi.
Klan News