Dyshohet si pjesë e rrjetit që do të shiste 1 kg kokainë

Shitja e 1 kilogramëve kokainë mbrëmjen e 21 Marsit në kryeqytet do të bëhej me dijeni të plotë dhe angazhimin e një efektivi të Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit.

Ai është Ervis Shkurta 38 vjeç, i cili u arrestua nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore 2 ditë pas operacionit anti-drogë ku mbeti i plagosur një prej trafikantëve gjatë ndërhyrjes së policisë.

Me anë të një njoftimi zyrtar, AMP thotë se Shkurta ka lidhje të ngushta shoqërore me njërin prej personave të ndaluar më herët.

Hetimet treguan që efektivi i Operacionales ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike të llojit kokainë.

Ai gjithashtu, thotë Agjencia e Mbikqyrjes Policore, ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.

Më herët në pranga për rastin e trafikut ra shtetasi Eneo Sulejmanaj, i cili mbeti i plagosur dhe dy shtetasit e tjerë Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj.

Të tre ata po lëviznin me makinë, kur policia i bëri thirrje të ndalonin të rrugën ‘Mihal Duri’, thirrje të cilës Eneo Sulejamni që drejtonte mjetin nuk iu bind dhe tentoi të largohej duke bërë manovra të rrezikshme. Ai u neutralizua nga efektivët që qëlluan edhe me armë zjarri.

Për arrestimin e punonjësit të policisë reagoi edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se vetëpastrimi vijon dhe do të jetë në fokus të reformave që do të ndërmerren për policinë nga qeveria.

Tv Klan