Asambleja e Këshillit të Europës ka miratuar projektrezolutën e grupit monitorues për funksionimin demokratik të institucioneve në Shqipëri. Në rezolutën e përpiluar nga Jaakko Laakso dhe David Uilshire e cila ka dhjetë amendamente kërkohet një hetim parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit të 2009.
Megjithatë ngritja e një komisioni hetues do të bëhet në bazë të ligjit i cili specifikon se ky komision nuk mund të ndërhyjë në vendimin e gjyqësorit, çka përkthehet se kutitë nuk do të hapen.
Pavarësisht kërkesës për hetim, Këshilli i Europës i bën thirrje opozitës të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në parlament duke bërë detyrën në përfaqësimin e zgjedhësve të saj. Deputetët në sallë ishin në unison kur deklaruan se dialogu politik nuk mund të bëhet në rrugë, por nga ana tjetër fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve duhet të respektojnë njeri-tjetrin dhe të ulen në tryezën e bisedimeve.
Në raport deputetët i kërkuan presidentit Bamir topi të bashkëpunojë me delegacionin europian në ndërmjetësimin për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Në fjalën e tyre deputetët e cilësuan bojkotin e Partisë Socialiste si aspak demokratik, por nga ana tjetër i rekomandojnë qeverisë dhe opozitës të gjejnë një kompromis. Në këto kushte, Asambleja e Këshillit të Europës angazhohet të japë ndihmën e saj në përmirësimin e klimës politike në Shqipëri dhe vendosjen e themeleve të një dialogu politik./tvklan.al