Zgjidhja e ngërçit politik për shkrimtarin e njohur Dritëro Agolli është që opozita socialiste të kthehet në parlament e t’i japë fund bojkotit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama” një nga radikalët e kongresit të themelimit të Partisë Socialiste në vitin 1991, shprehet se mazhoranca nga ana tjetër duhet të bjerë dakord për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe ndonjë kutie votimi.

“Nuk bëhet hataja thotë shkrimtari i njohur nëse pranohet hapja e vetëm disa kutive, jo e të gjithave, sepse kjo është vetëm sa për të krijuar një ide sesi janë bërë zgjedhjet”.

Këmbënguljen për hapjen e kutive Agolli e ka krahasuar  me burrërinë e sëmurë shqiptare  që nuk kontribuon për të mirën e përgjithshme të vendit.

Përplasjet politike mes të djathtës dhe të majtës Agolli i cilëson si luftë gjelash dhe thekson se përqendrimi  i të dy palëve te kutia është i gabuar. Sipas tij, hyrja në parlament është tjetër dhe hapja e kutive është tjetër.

Edhe brenda parlamentit mund të kërkosh hapjen e kutive, madje aty e bind kundërshtarin politik. Është kjo këshilla e Agollit për selinë rozë./tvklan.al