Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës ka rikthyer në agjendën e ditës së enjte diskutimin rreth raportit mbi Shqipërinë si dhe votimin për heqjen ose vazhdimin e procedurës së monitorimit, në këtë mënyrë asambleja ka hedhur poshtë një vendim të byrosë parlamentare që debati mbi situatën politike në Shqipëri të shtyhet për në muajin qershor.

Në konferencën për shtyp të presidentit të asamblesë parlamentare Piter Shider, ai deklaroi se nuk ka ndër mend tu japë këshilla politikanëve shqiptarë,  duke ja lënë gjithçka në dorë reporterëve të cilët kanë paraqitur vërejtjet  e tyre në raport.

Sipas parashikimeve të shqiptarëve në Këshillin e Evropës procedura e monitorimit nuk ka gjasa të hiqet para zgjedhjeve parlamentare, ky rekomandim i vëzhguesve të Këshillit të Evropës është arsyetuar me mangësitë e mëdha në listat e votuesve, me zgjidhjen  e konfliktit të interesave si dhe me miratimin e financimit të fushatave elektorale.

Krahas organizimit të zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare, Këshilli i Evropës pret nga autoritetet shqiptare rezultate konkrete në luftën ndaj krimit të organizuar, trafiqeve ilegale e korrupsionit si dhe për reformën në administratën publike./tvklan.al