Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në prezantimin e raportit të monitorimit të OECD/SIGMA. Gjatë fjalës së tij, Rama ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me “talk-menagement” në administratën publike. Kryeministri thotë se kemi punë shumë për të bërë në këtë drejtim, teksa shton se shërbimet online ndihmojnë lidhur me këtë problematikë.

Edi Rama: Unë personalisht jam i palumtur me mënyrën si ne kemi ecur dhe me cilësinë që kemi sot në talk-menagement dhe këtu kemi shumë punë për të bërë dhe ne do ta mirëpresim çdolloj ndihme me dije se si mund ta adresojmë këtë problematikë. Jemi dhe në një fazë historike më të gjithë procesin e reformës në drejtësi. Duhet të përballim bashkarisht edhe nevojën që proceset e punës në administratë, në të gjitha ato pjesë të funksionimit të qeverisjes ekzekutive që lidhen që me vendimmarrjen dhe deri te prokurorimet nuk janë procese të lehta për t’u administruar për t’u hetuar apo gjykuar dhe kështu ndodh që për fat të keq, në tërësinë e gjithë punëve të mira në drejtim të luftës kundër korrupsionit, të shohim dhe një tkurrje të administratës si rezultat i një ndjenje pasigurie që krijohet. Kjo është një problematikë që duhet ta adresojmë sa më shumë së bashku.

Ne kemi bërë përpjekje për të lehtësuar qytetarët në raport me një administratë ka qenë dhe mbetet e papërgatitur për të ju përgjigjur qytetarëve ashtu siç përgjigjet administrata gjermane. Ne ballkanasit nuk jemi vetëm sepse kemi dhe fqinjë në Ballkanin Perëndimor që nuk është se shkëlqejnë në mënyrën si administrata ju përgjigjet qytetarëve. Bekimi në këtë rast se jemi në kohën që mund të përdorim teknologjinë. Sot jemi lider në rajon dhe jemi ndër vendet e cilësuara në nivelin e parë përsa i përket shërbimeve online. 95% të shërbimeve e kemi online. Në aktet nënligjore ne prodhojmë shumë dhe kemi shumë mbivendosje. Me modelin e inteligjencës artificiale që kemi krijuar për integrimin në BE duke i dhënë mundësi vetes që atë proces për të cilin vendet e tjera kanë angazhuar një ushtri me juristë, ne mund ta bëjmë në 95% të punës me këtë model të inteligjencës artificiale. Modeli ka filluar të punojë.

Ngritja e një administrate publike për familjen e Europës së Bashkuar, për Kryeministrin Rama nuk është thjesht një fjalë goje, por një ushtrim jashtëzakonisht kompleks.

Edi Rama: Ngritja e një administrate publike për familjen e Europës së Bashkuar nuk është një fjalë goje, por një ushtrim jashtëzakonisht kompleks. Besoj se të qënit në mes të Europës dhe të pasurit të bekimit të të qenit europian, me mundësinë për t’u bërë pjesë e BE-së është një e dhënë që garanton optimizimin për të ardhmen, që zor se jua garanton diçka apo dikush vendeve me një të kaluar të ngjashme si e jona që nuk janë në kontinentin europian. BE është e vetmja forcë lëvizëse në këtë botë që mund t’i japin një vendi si i yni me një traditë të varfër në aspektin e administratës, instrumentat për të realizuar këtë mision. Thelbi është tek kultura e institucioneve. Duke na munguar kultura e institucioneve, ne kemi një hendek më të madh për të mbushur. Është presioni i dyfishtë i publikut që është në Shqipëri publiku më pro evropian dhe presioni i BE për të marrë prej nesh provën e përmbushjes të të gjitha kritereve. Ne jemi në një pozicion ku çdokush tjetër do të ishte në të gjitha vendet e rajonit. Kemi një bazë shumë të fortë që bën që të gjitha reformat që na çojnë në BE të kenë mbështetjen e domosdoshme.


/tvklan.al