Rastësi apo fat? Kjo është pyetja e parë që na vjen në mendje sa herë dëgjojmë apo shikojmë një rast suksesi. Por, jo gjithmonë përgjigja është ajo që ne mendojmë.

I ftuar në “Shije Shtëpie” në Tv Klan sipërmarrësi Eduart Ibrahimi jep një variant tjetër të përgjigjes. Suksesin e tij ndër vite në fushën e ndërtimit ai nuk e quan rastësore apo se ka qenë me fat.

Për të që një person të jetë i suksesshëm duhet që të punojë fort, të jetë i thjeshtë, i përulur dhe punëtor. Ishin pikërisht këto elemente që e shndërruan atë dalëngadalë në një sipërmarrës të suksesshëm.

Eduart Ibrahimi: Vlerat bazë që duhet të kemi, në radhë të parë si njeri dhe më pas si biznesmen janë disa, ndër to: thjeshtësia, përulësia. Njeriu kur është i përulur, nuk do të thotë se është më inferior ose është më i paaftë për të thënë apo për të përçuar një mesazh. Përulësia është vlerë e njerëzve që kanë arritur diçka dhe dinë diçka.

Katerina Trungu: Si ia dolën?

Eduart Ibrahimi: Në kohën kur ne filluam biznesin ishtin 1994-1995, ishte fillimi dhe ishin vite të vështira sigurisht. Unë u ktheva nga Greqia, pas dy vite e gjysmë përvojë atje, këtu sigurisht që ambienti dhe ndërtimi ishte në fazën fillestare, pra ishte gjithçka në fazat e fillimit. Njëkohësisht bashkë me ndërtimin dhe me ofrimin e shërbimeve në ndërtim, fillova dhe tregtinë me disa brande të ndryshme nga Europa. Fillova me një brand të parë tregtinë, po kështu dhe ndërtimin. Ndërtimet e para ishin hotelet, ato pak që ishin. Dhe kështu filloi hap pas hapi rritja, por gjithmonë rritja ka qenë në mënyrë graduale dhe duke parë e nevojat e tregut sepse në fund të ditës një biznes është dhe plotësimi i një nevoje të tregut dhe mbajtja e premtimeve.

Katerina Trungu: A ka qenë për ju një plus i madh që keni qenë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur? Pikërisht në ato vite kur ishte nevoja dhe ju kishit njohuritë për këtë fushë. Mund të jetë ndoshta dhe pak fati që na shtyn ndonjëherë për më shumë apo është zotësi dhe kalkulimet e mira?

Eduart Ibrahimi: Të them të drejtë unë nuk besoj shumë tek fati. Të besosh në fat mbase për diçka ose në një moment të caktuar, por për gjëra kaq të rëndësishme…

Katerina Trungu: Pra nuk është rastësisht dikush CEO ose i suksesshëm?

Eduart Ibrahimi: Jo asgjë nuk është e rastësishme, pra gjithçka është shkak-pasojë. Dhe shkaku është që ti duhet të jesh gjithë kohës i përkushtuar, pra të sakrifikosh, të bësh maksimumin tënd, të bësh më të mirën tënde, të përmirësohesh, të jesh një nxënës sepse nëse nuk do jesh një nxënës i mirë që mëson çdo ditë, kjo ndikon shumë në karakterin tënd. Kështu që mendoj se çdo gjë vjen në mënyrë graduale dhe hap pas hapi sepse për të ngritur një biznes duhet të paktën 10 vite./tvklan.al