I sapo rikonfirmuar në krye të Grupit Kuvendor Demokrat, Astrit Patozit, i duhet të drejtojë grupin më të madh të ligjvënësve në mungesë të deputetëve socialist. Për Patozin, vendimi i opozitës për bojkot nuk është një problem mes saj dhe mazhorancës, por zë fill tek debatet e brendshme të selisë rozë. Duke e parë nën këtë fokus, demokratët nuk duket të konsiderojnë asnjë mundësi për vlerësimin e tyre.

Astrit Patozi: “Ajo që unë mund të them është se opozita nuk vjen në parlament për hatër apo për interesa të qeverisë, por vjen për interesa të zgjedhësve të vet. Në këtë rast edhe mungesa nuk bëhet për shkak të qeverisë apo për shkak të mazhorancës, por për arsyet e veta. Opozita ka një debat të brendshëm dhe ne nuk duhet ti futemi këtij debati. Të ashtu quajturi kushte janë një alibi për të motivuar rizgjedhjen e kryetarit të PS-së sepse në PS ka dy rryma, njëra prej të cilave i kërkon shkaqet e humbjes tek vetja dhe njëra që është afër kryetarit që kërkon argumentet e humbjes tek cilësia e zgjedhjeve. Opozita nuk ka pasur as argumentin, por ndoshta dhe as kohën e mjaftueshme që të përgatisi kushte dinjitoze.”

Dhe për mbështetur këtë konsiderim, kryetari i Grupit Kuvendor Demokrat i referohet dy prej kushteve të listuara nga Partia Socialiste.

Astrit Patozi: “Një nga kushtet është që të ngrihet një komision parlamentar në të cilin të marrë pjesë edhe OSBE-ja. OSBE-ja me gjithë respektin që ne kemi si organizatë, nuk mund të marri pjesë në Kuvendin e Shqipërisë. Madje edhe sikur ne të dëshironim këtë edhe të kishte një mundësi juridike vetë OSBE-ja nuk do donte që të ishte pjesë e Parlamentit shqiptar. Po kështu unë kam vënë re një kusht tjetër që është po kaq absurd, ku thuhet se që të kthehen në administratë të gjithë të shkarkuarit  për shkak të zgjedhjeve. Ndërkohë që PS-ja 3 vjet më parë ka deklaruar që të gjithë militantët e saj apo simpatizanët e saj janë pastruar nga administrata për shkak të revanshit të pushtetit. Pra ka absurditete të tilla që i bëjnë kushtet jo dinjitoze.”

Me fillimin e legjislaturës  së re, demokratët të cilët do të bashkë qeverisin në një koalicion të gjerë ku përfshihet dhe LSI, nuk duken të shqetësuar nga numrat në Kuvend për sa i takon miratimit të atyre ligjeve që garantojnë qëndrueshmërinë e qeverisjes. Problem përbëjnë  ato reforma që lidhen drejtpërdrejt me interesa të integrimit evropian për të cilat është i paevitueshëm bashkëpunimi i opozitës.

Astrit Patozi: “Sigurisht do të vijojmë me reformat dhe reformat bëhen në parlament, reformat janë ligje. Një pjesë e të cilave sigurisht mund të kërkojnë edhe bashkëpunimin e opozitës dhe ne nuk reshtim së ofruari dorën tonë që opozita ti bashkohet vijimësisë së reformave që ne bashkarisht kemi nisur në vitin 2005.”

Pjesë të politikës personale, Patozi cilëson dhe aksionin e shpallur rishtazi nga PS për protesta popullore. Kjo është dhe arsyeja pse kreu i Grupit Kuvendor Demokrat e e sheh bojkotin e Kuvendit me afat të përcaktuar, që lidhet me rikonfrimimin e Edi Ramës në krye të PS./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi