Astrit Patozi: “Kuvendi i Shqipërisë mbylli dje me shumë sukses diskutimin e projektligjit për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë. Arsyeja që ky ligj nuk u votua ishte thjesht dhe vetëm teknike”.

Kështu e ka komentuar kryetari i grupit parlamentar demokrat shtyrjen e votimit të ligjit për pastërtinë e figurave.

Sipas tij amendamentet e shumta të propozuara në seancën e ditës së hënë nga grupe te ndryshme deputetësh kanë detyruar mazhorancën ta rikthejë ligjin në komisionin e ligjeve për të marrë në shqyrtim ndryshimet e propozuara, duke hedhur kështu poshtë çdo pretendim të hamendësuar se mazhoranca u tërhoq për t’i lëshuar pe opozitës, e cila bojkotoi seancën e djeshme në kohën kur diskutohej projektligji.

E ndërkohë komisioni i ligjeve është mbledhur paradite dhe ka marrë nën shqyrtim amendamentet propozuara duke miratuar dy prej tyre, sërish pa praninë e deputetëve të majtë, të cilët i janë bashkuar mbledhjes së komisionit vetëm në momentin që ka nisur diskutimi për ligjin e avokatisë.

Kështu sipas amendimeve të propozuara nga një grup deputetësh të komisionit të medias subjekteve që i nënshtrohen verifikimit i shtohen dhe drejtorët e përgjithshëm, nëndrejtorët dhe drejtorët e departamenteve në Televizionin Publik Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare, si dhe anëtaret e këshillave drejtues të mediave publike.

Ndryshimi tjetër i miratuar nga komisioni i ligjeve parashikon ndërprerjen e çdo mandati aktual drejtues për ish-kryetarët e degëve të brendshme, si dhe për ish-anëtarët e presidiumit të kuvendit popullor.

Patozi deklaroi se pas miratimit të amendimeve mazhoranca është gati për të miratuar projektligjin të hënën e ardhshme, ndërsa edhe pse në dukje skeptik i kërkoi opozitës të reflektojë dhe të votojë pro tij.

Astrit Patozi: “Nga pikëpamja procedurale opozita i ka humbur të gjitha shanset që të ndikojë apo që të sjellë më amendamente për këtë projektligj. I vetmi qëndrim i saj është që të reflektojë dhe të ndryshojë pozicionin tërësisht të shëmtuar që mbajti dje në seancën plenare”.

Patozi thotë se nëse opozita ka deklaruar se do ta çojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese për ta hedhur poshtë, kjo është vetëm çështje e selisë rozë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka