“Shkodra është tronditur sërish nga një ngjarje mafioze këtë të mërkurë. Pikërisht në kryqëzimin e Dobraçit persona të paidentifikuar kanë shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të një automjeti duke lënë viktima”, raportoi gazetarja Emi Kalaja.
Atentati që ndodhi rreth orës 15 e 50 minuta la tre të vrarë dhe 1 të plagosur.
Kjo makine tip “Benz” që shihni në këto pamje u godit me breshëri kallashnikovi. Brenda saj, në timon, ndodhej Hamza Lici, i cili humbi jetën në vend. Bashkë me të, ishte Arlind Bushati, i cili mbeti i plagosur në kokë dhe humbi jetën disa orë më vonë në spital.
Ata u qëlluan në ecje nga një mjet tip Range Rover, që po i ndiqte nga pas. Në përpjekje për t’u shpëtuar plumbave makina e drejtuar nga Lici devijoi nga rruga dhe përplasi një çift bashkëshortësh që po lëviznin me një motoçikletë. Nga goditja humbi jetën Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti Bashkim Basha ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Gjatë këqyrjes së makinës tip “Benz” me të cilën po lëviznin Lici dhe Bushati policia gjeti tre armë zjarri pistoletë dhe disa gëzhoja që sipas hetuesve është tregues që në vendin e ngjarjes ka pasur shkëmbim zjarri me autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë të paktën dy.
Disa orë pas ngjarjes, Policia gjeti në fshatin Golem në Shkodër, të djegur plotësisht siç duket edhe në këto pamje automjetin tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike, që dyshohet se janë përdorur në ngjarje.
Viktima Hamza Lici 23 vjeç është vëllai i Ibrahim Licit, i akuzuar se është autor i vrasjes së Endri Mustafës, në Maj të 2021-shit.
Ndërsa 32-vjeçari Arlind Bushati, është djali i Xhemal Bushatit, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak dhe ish-kandidat për Bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet pjesshme të 6 marsit të vitit 2022.
Në 10 Tetor të këtij viti, Arlind Bushati denoncoi në polici se u kërcënua me armë zjarri në Pedonalen e Shkodrës nga dy persona që lëviznin me motor. Tv Klan publikon pamjet e ngjarjes së ndodhur disa javë më parë, ku duken dy autorët të veshur me të zeza dhe që i drejtojnë armën e zjarrit.
Teksa në vitin 2022, në një godinë dykatëshe në pronësi të Xhemal Bushatit, por të lëshuar me qira u vendos nga persona ende të paidentifikuar rreth 400 gramë tritol.
Policia nuk ka mundur të sqarojë ende nëse atenatorët kanë pasur objektiv Licin apo Bushatin, teksa kanë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje.
Një grup i posaçëm po kryen hetime intensive, ndërsa policia ka angazhuar shërbime të shumta, Forcën Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër dhe 2 grupe të Repartit Special “RENEA” në përpjekje për të kapur autorët.
Tv Klan