Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i pasdites së të martës në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Dy të plagosurit Kastriot Elezaj, 45 vjeç dhe Renaldo Metushi, 22 vjeç janë marrë në pyetje nga grupi hetimor.
Në dëshminë e tyre, të dy kanë mohuar të kenë pasur konflikte me persona të tjerë gjatë kohëve të fundit dhe nuk kanë arritur të identifikojnë autorët.
Asnjëri prej të plagosurve nuk ruhej dhe nuk kishte frikën e një atentati të mundshëm. Sipas dëshmisë së tyre, lëvizjet nëpër Tiranë i kishin normale dhe të përditshme.
“E kisha lënë për të pirë kafe me Renaldo Metushin dhe u ulëm në verandën e lokalit. Ne pimë kafe çdo ditë në të njëjtin lokal sepse jemi të papunë. Unë nuk kam parë kush më ka qëlluar dhe nuk e di kush ka dashur të më vrasë. Nuk kam asnjë konflikt me njeri dhe nuk i ruhem askujt. Lëviz lirshëm rrugëve dhe në kafe rri i pa shqetësuar”, është shprehur Elezaj.
“Po pija kafe me Kastriot Elezajn dhe pimë kafe bashkë çdo ditë. Unë jam i papunë. Tek lokali kam punuar disa kohë më parë si kamarier dhe ata çunat i njoh. Ngjarja ndodhi shumë shpejt dhe nuk i pashë autorët. Pasi pushuan të shtënat kuptova se isha qëlluar në këmbë”, tregoi Metushi para hetuesve.
Grupi hetimor ka dyshime se objektiv i sulmit të ketë qenë Elezaj për konflikte që mund të ketë pasur përgjatë kësaj periudhe me persona të tjerë.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që atentati të jetë kryer për shkak të së shkuarës kriminale të tij, pasi më herët ka qenë i dënuar për prostitucion.
Arma e krimit, e gjetur në makinën e djegur Golf 5 është e njëjta që është qëlluar në atentat, pistoletë e kalibrit të ulët, 7.65 mm.
Të dy të lënduarit, nuk i përkasin ndonjë grupi kriminal dhe në këtë mënyrë pistat e hetimit janë më të paqarta.
Hetuesit po verifikojnë zënka ose debate të së shkuarës të Elezajt, të cilat mund të jenë bërë shkak për ngjarjen.
Elezaj dhe Metushi u qëlluan me armë teksa ishin ulur në një lokal duke pirë kafe. 22-vjeçari Metushi ka marrë një plumb në këmbë ndërsa 45-vjeçari është plagosur në kraharor. Të dy ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. /tvklan.al