Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Aurel Plasari:- “Sigurimi dhe mbrojtja e këtij dinjiteti, fillojnë në radhë të parë që nga pajisja me dokumentin ndërkombëtar të lëvizjes së qytetarëve shqiptarë. Të mos harrojmë çështjen e pasaportave, që në Shqipëri historia e tyre u kthye në një turp. Një shtet që ende nuk zgjidh si duhet dhe nuk zbulon të vërtetën për një aferë të pisët, banale, me pasaportat e shqiptarëve, ose pasaportat e qytetarëve të një shteti që vijnë nga një background i tillë, nuk besoj që do të jenë shumë dinjitoze për t’u ballafaquar me realitete të tjera shtetërore. Pastaj çështja e pajisjes me viza të qytetarëve shqiptarë, që është sa çështje e përfaqësive të shteteve të huaja në Shqipëri, po aq edhe çështje e shtetit shqiptar. Ky varg i tërë masash institucionale, për sigurimin dhe mbrojtjen e dinjitetit qytetar të shqiptarëve, pa asnjë dyshim që është detyrë e shtetit shqiptar. Është ende e papranueshme në një shtet europian, siç është shteti shqiptar, të mos jetë në gjendje të ruajë oxhakun dhe qytetarët e tij t’i dalin si një shtëpi nga oxhaku, nga çatia, nga bodrumet në vend që të lëvizin si gjithë të tjerët, në mënyrë absolute, të hyjnë e të dalin nga dera”.

Ardian Klosi:- “Në këtë rast qytetarët kanë nevojë për një mbrojtje. Kjo mbrojtje mund të vijë vetëm nga përfaqësia shtetërore, në radhë të parë Ministria e Jashtme dhe instanca të tjera. Të habit kjo heshtje, aq sa dyshon se kanë frikë të prononcohen. Janë të lidhur kaq ngushtë, janë të thurur në interesa të caktuara që i bëjnë ta qepin gojën, por është e tmerrshme kur mendon atë djalë të ri, krejt të pafajshëm që ha një plumb kot. Ky shtet, kjo qeveri shqiptare të tregohet e prerë, të tregohet pak dinjitet, pak këllqe, sepse është një gjë e flashkët, që ne nuk e ndjejë si mbrojtje tonën”./tvklan.al