Qeveria australiane po planifikon masa të ashpra kundër rrjeteve sociale. Kabineti i kryeministrit të qendrës së majtë Anthony Albanese është duke hartuar një ligj të ri që ndalon përdorimin e të gjitha mediave sociale pa përjashtim për fëmijët dhe adoleshentët nën 16 vjeç.

Ndalimi është i prerë dhe nuk merr parasysh mbikëqyrjen prindërore. Llogaritë e atyre fëmijëve që janë regjistruar para se ky ligj të hyjë në fuqi do të bllokohen deri kur ata të mbushin moshën. Regjistrimi në të gjitha rrjetet sociale në Australi pritet të kryhet, përveçse duke deklaruar të sakta të dhënat personale dhe moshën, edhe përmes verifikimit biometrik ose me konfirmim nga zyrat shtetërore.

Për të gjithë shkelësit, gjobat parashikohen me shifra marramendëse deri në 32 milionë dollarë. Nëse kjo rregullore miratohet, Australia do të bëhet vendi me rregullat më të ashpra për përdorimin e rrjeteve sociale. Shumë vende kanë ndërmarrë masa për kufizimin e përdorimit të tyre nga fëmijët. Australia, Shtetet e Bashkuara e Kanadaja janë mes 13 vendeve që kanë bllokuar plotësisht ose pjesërisht përdorimin e Tik Tok-ut.

Ndërsa Franca, vitin e kaluar vendosi që për personat nën 15 vjeç, rrjetet sociale të përdoren me miratimin e prindërve.

Tv Klan