Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” me presidente zonjën Liri Berisha ka zhvilluar konferencën e dytë ndërkombëtare kundër autizmit.

Sipas shifrave një në 100 fëmijë është i prekur nga kjo sëmundje. Në fjalën e saj zonja Berisha ka bërë një prezantim të punës së fondacionit që ajo drejton.

Liri Berisha: “Fondacioni ka marrë përsipër të luaj rolin e lloj katalizatori për të përshpejtuar ndërveprimin e aktorëve dhe faktorëve në shoqëri që do të mund të sjellin ndryshime domethënëse për jetën e fëmijëve dhe familjeve të prekura nga kjo sëmundje. Po bëjmë përpjekje të ndërtojmë shërbime të cilat në të ardhmen të shërbejnë si modele që duhen përhapur në të gjithë vendin. Po përpiqemi të ngremë statistika kombëtare që janë tepër të rëndësishme. Të furnizojmë sistemin shëndetësor më të dhëna për të planifikuar një sistem kombëtar shërbimesh për autizmin dhe probleme të tjera të zhvillimit të fëmijëve.”

E pranishme ka qenë dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila ka theksuar rëndësinë e rritjes së vëmendjes ndaj kësaj sëmundje.

Jozefina Topalli: “Ne si shoqëri nuk mund të lejmë kurrë që këto prind ta trajtojnë dhe të përballen me këtë sfidë të vetme. Ne nuk mund të lejojmë që të lejmë vetëm në qendrën e ngritur, të parën në Tiranë që është e shkëlqyeshme apo të dytën që do bëhet në Farkë për të gjithë Shqipërinë. Ne duhet të mendojmë që ta kthejmë një politikë kombëtare luftën kundër autizmit.

Aktivitet e zhvilluara nga fondacioni “Fëmijët Shqiptar” do të mbyllen me një mbrëmje gala bamirësie me temë “Pranë Fëmijëve Autik”.

Të gjitha të ardhurat e saj do të shkojnë për realizmin e projekteve të fondacionit “Fëmijët Shqiptar”./tvklan.al