Paralelisht Avokati i Popullit ka nisur hetimet mbi atë çka ka ndodhur në Bashkinë e Himarës dhe që është përkthyer si një fenomen diskriminimi për popullsinë e cila banon në këtë zonë gjysmë minoritare, por mungesa e të dhënave të sakta e ka detyruar Dobjanin të kërkojë ndihmën e medias.

Ermir Dobjani: “Në qoftë se keni adresa dhe persona individual të na drejtohen konkretisht që ta verifikojmë këtë çështje dhe të dalim me një mendim të pjekur dhe objektiv. Individë që e ndjejnë veten të diskriminuar nga bashkia e Himarës për këtë çështje të na drejtohen dhe këtu e kërkoj dhe bashkëpunimin tuaj, dhe bëj publike këtë gjë.”

Në të njëjtën kohë Dobjani ka reaguar dhe ndaj raportit të Amnisty International për vitin 2007 ku flitet për rastet e keqtrajtimit të të dënuarve në burgjet shqiptare. Avokati i Popullit deklaron se fajtor or këtë situatë është edhe politika, e cila shpesh ndërhyn në vendimet e gjykatës.

Ermir Dobjani: “Burg edhe në qoftë se personat në raste të caktuara kur i kanë kushtet për të mos qenë në burg, shpesh herë kalohet edhe në akuza dhe organet brenda këtyre pra policia akuzon prokurorinë, prokuroria akuzon gjykatën, për gjoja kapje, ose korrupsion të njëra tjetrës, por ne duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm, se jo çdo gjë duhet të zgjidhet me masën e arrestit me burg.”

Transferimi i një kontingjenti të madh të të dënuarve në Greqi, sipas Dobjanit është një vendim i pamenduar mirë dhe me një kosto shumë të lartë financiare.

Ermir Dobjani: “Aplikimi i shpejtë i marrëveshjeve të ekstradimit qoftë në Greqi, qoftë në vende të tjera do ta rëndonte akoma më tepër gjendjen e të burgosurve në Shqipëri.”/tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani