Avokati i 28 vjeçarit portugez Ruben Saraiva, pretendon se nuk ka prova që e implikojnë klientin e tij në  vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Sot pasi Gjykata e Lezhës vendosi masën e arrestit në burg për Saraivën, avokati Kujtim Cakrani deklaroi para mediave se Prokuroria nuk ka asnjë provë konkrete për ngjarjen dhe personat e përfshirë.

Ai theksoi se ekziston vetëm dëshmia e një gruaje, e cila suoas Cakranit është marrë në mënyrë të paligjshme nga oficerët e Policisë Gjyqësore.


“Prokuroria kishte paraqitur seancën e shkuar një dosje prej 500 faqesh, duke mos paraqitur asnjë provë konkrete ku të saktësonte se personi nën hetim ose i dyshuar Ruben Saraiva të ishte ai që ka kryer aktin kriminal. Ne i kërkuam sot Gjykatës rivlerësimin e masës së sigurisë, në një masë tjetër më të butë për faktin se gjithë këtë periudhë, po shkon gati një vit dhe Prokuroria nuk ka prova konkrete për ngjarjen dhe personat të cilët kanë qenë të përfshirë dhe aq më shumë për klientin tim. Kështu që deri më tani s’ka asnjë provë konkrete përveçse fjalë të Prokurorisë dhe dyshime të cilat janë të pabazuara, të harmonizuara me ndonjë provë konkrete. Janë fjalë që janë marrë nga oficerë të policisë së Lezhës. U vendos që duhet të vazhdojë arrestin me burg, ndërkohë që ne do ta apelojmë sepse këtu nuk ka arsye të besueshme që ai duhet të rrijë në burg. Personat nën hetim, kur nuk ka provë konkrete, nuk duhet të rrinë në paraburgim. Kemi 5 ditë kohë, do ta apelojmë në Gjykatë të Apelit. Prova e vetme që ka Prokuroria është një, dëshmi të një zonje që oficerët e policisë e kanë marrë në mënyrë të paligjshme, nën presionin psikologjik që i kanë bërë. E kanë manipuluar, ka firmosur pa praninë e avokatit dhe kjo përbën një shkelje shumë të rëndë. Kjo është e vetmja provë që ata kanë si kalë beteje, besojnë që mund të jenë shtetasi portugez. Është gjetur një motor, që nuk ka lidhje fare me Rubenin, s’është motori i ngjarjes. Nuk kishte se çfarë të thoshte më prokurori”, tha Cakrani.

Kujtojmë se ekzekutimi i Nikulajt ndodhi më 19 prill 2023, teksa ai ndodhej brenda ambienteve të lokalit të tij në Lezhë./tvklan.al