Sekuestrimi i automjeti që i ishte vjedhur mesfushorit të Milanit më 2 Tetor të vitit 2006 në Itali, duket se do të zgjasë muaj të tërë para se t’i kthehet të zotit.

Një ditë pas lajmit për gjetjen e makinës avokati Robert Karati, shpjegon anën ligjore dhe procedurale me të cilët do të ndeshet mesfushori në rast se vjen në Tirane për të tërhequr mbrapsht makinën e tij.

Robert Karati: “Për të sjell të gjithë këtë dokumentacion që i duhet, ai do i duhet 1 muaj deri në 6 muaj për ta marrë në rastin më të mirë. Avokati i Gatuzës në qoftë se do ketë, sigurisht që ka një të tillë, nuk mund të vij të legjitimitoj këtu në vendin tonë pasi duhet të kapi një avokat shqiptar të legjitimohet, të paraqisi kërkesat dhe shumë mirë që e paska kap në problemin në momentin e parë, sepse po të kaloj ky momenti i parë të kishte filluar shqyrtimi gjyqësor atëherë atij do t’i duhet dhe 2-3 vjet për të marrë makinën e vet gjë që do të thotë makina shndërrohet, pëson dëmtime si nga erozioni ashtu dhe nga elementet tjera teknik”.

Sipas Karatit, për shkak të këtyre procedurave të tejzgjatura, shumë prej pronareve të ligjshëm nuk arrijnë t’i marrin mjetet e tyre të kontrabanduara në Shqipëri, pas gjetjes se tyre nga policia.

Robert Karati: “Këtu nuk janë pak makina, janë shumë makina, shumë fare. Mendojmë që të hapim një zyrë që nëpërmjet internetit shtetasit e huaj ta dinë ku është kjo zyrë edhe të vijnë direkt të bëjnë kërkesën dhe veprimet tjera shumë të shpejta. Jo të gjitha makinat që janë të vjedhura vijnë personat dhe i marrin, prandaj dhe legjislacioni jonë edhe këto makina nuk i nxjerr në ankand. Është një difekt në ligj që duhet t’i nxjerri në ankand, por i shet për skrap”

Policia thotë se ka nisur procedurat ligjore për personin që zotëron makinën e vjedhur të Gatuzos, ndërkohë që po hetohet edhe për të zbuluar mënyrën se si automjeti është cikluar dhe targuar në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani