Të zgjedhësh profesionin e jetës jo gjithmonë është e thjeshtë dhe jo gjithmonë do të bazohet në dëshirat dhe pasionet. Ndonjëherë duhet një arsyetim më i thellë, më afatgjatë.
Por, nga ana tjetër nuk kemi se si të anashkalojmë as ndikimin që kanë të tjerët tek kjo zgjedhje, veçanërisht prindërit. Shumë prindër duke u bazuar në një logjikë më të ftohtë, udhëheqin, madje nxisin fëmijët e tyre drejt një profesioni, që ndoshta ata e kanë pasur ëndërr ta kishin.
Për këtë temë, por dhe për modelin që prindërit transmetojnë tek fëmijët e tyre, diskutoi paneli i të ftuarave në “Shije Shtëpie” në Tv Klan.
Sipërmarrësja Sonila Sopoti tregoi se ëndrra e saj ka qenë piktura, por nxitja e të atit bëri që ajo të mos e ushtronte në atë kohë pasionin e saj, duke mbetur thjesht një ëndërr në sirtar. Megjithatë edhe pse është një sipërmarrëse Sonila Sopoti thotë se ka arritur më së miri që të gërshetojë biznesin dhe artin.
“Ka akoma prindër që bëjnë gabime në këtë kohë. Në kohën tonë do të bëheshe doktoreshë se donte gjyshja, do të bëheshe mësuese sepse kërkonte mami dhe do të bëheshe juriste sepse donte babi. Kanë qenë këto dhe ëndrrat tona qëndronin në sirtar duke filluar dhe nga vetja. Unë kam pasur një prirje tek artet, pikturë, babit tim i jam mirënjohëse, por më thoshte nuk bëhesh dot piktore, do të bëhesh juriste. Ëndrra ime ngeli në sirtar dhe sot e kësaj dite, unë e kam pasur shumë dëshirë që të mbaroja shkollën për menaxhim biznesi dhe ëndrra ime doli tani. Jam në biznes dhe fusha që ndjek ka të bëjë me artin”, tha ajo./tvklan.al