Cikli i jetës është një rrjedhë që nis me kujdesin e pakushtëzuar të prindit ndaj teje, me përkushtimin e vazhdueshëm të tij edhe pse vitet i ikin, me shqetësimin e përhershëm ndaj mirëqenies së fëmijës për t’u përmbyllur me të gjitha këto në anën e kundërt: fëmija merr rolin e prindit kur ai nuk mund të kujdeset më për veten.
Lorenc Jemini e ka përjetuar këtë rrugëtim, kujtimin e të cilit e ka ende shumë të freskët. Arbitri tregon në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se babai i tij ndërroi jetë në nëntor, në moshën 80-vjeçare. Ai refuzonte vazhdimisht të kërkonte ndihmën e mjekëve kështu që përgjegjësia e kujdesit rëndoi mbi familjen.
Lorenc Jemini: Unë flas me përgjegjësi sepse e provova me babain tim 3 vjet këtë histori sepse e humba në nëntor, ishte në moshë 80 vjeç dhe e provova një kokëfortësi absolute sepse ai s’kishte vuajtur kurrë 75 vjeç, 76 vjeç nga ndonjë gjë, por në momentin që i filloi, refuzonte edhe te doktori të shkonte por me një…”unë s’kam marrë një aspirinë gjithë jetën thoshte, pse…” Vjen një moment që duhet parë gjëja se vjen një moment që fillon e rëndohet dhe pastaj duhet të përfshihen të gjithë pjesëtarët që të bëhen bashkë.
Jemini shpjegon se duke qenë 5 fëmijë, e organizonin mjaft mirë ndarjen e punëve. Megjithatë, marrja e rolit si “prind” i babait të tij ishte një përjetim i jashtëzakonshëm që ai e shpreh përmes krahasimit të dy episodeve.
Lorenc Jemini: Babai im ka qenë 1.90 i gjatë, 100-110 kg, një burrë prej vërteti, jo se ishte babai im dhe kur na çonte të vegjël në plazh atëherë, na mbante 4 fëmijë se i vogli s’kishte lindur akoma se na zinte dhe autobusi, fëmijë të vegjël, na mbante kështu të katërt në sedilje që flinim dhe na mbante 8 orë se atëherë nuk udhëtoje dot, unë kam jetuar në Ersekë, deri në Durrës që na çonin ishte si të vije… na mbante 8 orë, një këtu, një këtu, mbaj mend se edhe mamanë më duket se e zinte autobusi, na mbante të pestëve. Pastaj vjen historia mbrapsht që kthehet dhe e mban ti babain. Unë vitet e fundit e kam mbajtur si fëmijë se nuk çohej dot, e çonim, unë e laja, e pastroja se nuk kam probleme, i mjekoja plagën, nuk kam ndjesi gjaku./tvklan.al