“Sistemi i adresave” është ky fokusi në të cilën janë përqëndruar diskutimet në Komisionin e Ligjeve paraditen e sotme. I pranishëm në këtë komision është edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Gjatë fjalës së tij, ministri Balla ka shpjeguar me detaje se si do të funksionojë ky sistem teksa ka theksuar se çdo subjekt do të ketë një kod unik.
Taulant Balla: Aktualisht, mbi 2.5 milionë shtetas shqiptar kanë një adresë të përditësuar. Mbetet ende një numër i konsiderueshëm shtetasish pa adresë të cilësuar sipas modelit zyrtar të adresave duke marrë në konsideratë që Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile përmban rreth 4.5 milionë shtetas të regjistruar. Asnjë sistem tjetër deri më tani dhe sapo të miratohet ky ligj, kjo do të marrë zgjidhje, nuk e përdor adresën sipas standardit ligjor me 8 elementë për sistemin e adresave të ndryshuar.
Adresa e përdorur nga institucionet qeveritare është në formatin tekst. Për të njëjtën adresë, secili prej institucioneve ka sistemin e vet. Përdorimi i vlerave të ndryshme për të njëjtën adresë, ka krijuar konfuzion për identifikimin e adresës së një subjekti. Institucionet e shtetit të përdorin një dhe vetëm një kod për të identifikuar adresën e një subjekti. Së pari është kodi unik. Kodi unik përbëhet nga 18 elementë, është një kombinim 2 gërma latine, 2 numra që kërkon çdo ndërtesë për hapësirën që mbulon kodi postar.
Kemi futur dhe 2 elementë të rinj që nuk kanë qenë më para që janë gjerësi dhe gjatësi gjeografike, kjo kryesisht që edhe në të ardhmen edhe përmes një aplikacioni siç është “Google Earth” apo çdolloj aplikacioni tjetër me pamje satelitore, mund të shkosh deri tek adresa. Kodi do të jetë për ndërtesën me 15 shkronja dhe numra dhe për adresën në 18 kombinim shkronjash dhe numrash.
Brenda pak javësh, Shqipëria do të ketë regjistrin unik të adresave ku çdo objekt banimi apo biznesi do të ketë adresën e sakte me emërtimin e rrugës dhe numrin e objektit. Të gjithë qytetarët do të kenë një kod unik për adresën e tyre të cilën mund ta identifikojnë përmes e-Albania./tvklan.al