Me vështirësi, por bota më në fund po del nga kriza financiare.

Në raportin vjetor për parashikimin ekonomik të globit Banka Botërore thotë se këtë vit bota do të ketë një rritje ekonomike në masën 2.7%, megjithatë sipas bankës kjo rritje do të jetë më e ulët nga fundi i vitit kur të fillojë të zbehet efekti i masave stimuluese që kanë marrë qeveritë në vende të ndryshme.

Përsa i përket Shqipërisë raporti i Bankës parashikon se në vitin 2010 ajo do të ketë një rritje ekonomike prej 3%, një nga më të lartat në rajon.

Banka Botërore vëren se një prej shteteve që kanë nisur vrapin drejt rimëkëmbjes është Kina.

Ekonomia e saj është rikthyer në ritmet e rritjes dyshifrore duke arritur nivelin e 10.7%. Kjo do te thotë se ekonomia kineze ia ka kaluar asaj të Japonisë dhe është e dyta në botë pas ekonomisë amerikane.

Para një viti ekzistonte shqetësimi se rritja ekonomike në Kinë do të ishte shumë e dobët, ndërsa tani ka shqetësim se ritmet e rritjes ekonomike mund të forcohen më shumë se ç’duhet./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle