Të hapësh një biznes në Shqipëri jo vetëm që është e mundur, por lehtësirat e bëjnë atë të realizueshëm në një kohë të shkurtër.
Me raportin e përvitshëm të International Finance Corporation, pjesë e Bankës Botërore, ky lloj sektori ekonomik në vendin tonë ka shënuar sukses në dy vitet e fundit.
Raporti në fjalë e rendit Shqipërinë në vend të 86-të me një rritje mese të dukshme dhe të kënaqshme prej 49 vendesh.
Me këtë vlerësim vendi ynë lë pas shtetet fqinje si Serbia, Mali i Zi, Greqia apo Italia, e cila ka rënë në fund të listës.
Raporti “Të bësh biznes” bazon gjykimin e tij në dhjetë indikatorë të rregullave për të hapur një biznes në 181 shtete, si koha, ligjet, tregtia, pagesa e taksave, mbyllja e biznesit, investitorët apo kreditë.
Në këtë kontekst raporti vë në dukje se Shqipëria është një vend që ofron lehtësira në procedurat për të hapur një biznes në një kohë rekord maksimalisht prej tetë ditësh dhe një vlerë po maksimale prej 3 mijë deri në 5 mijë eurosh.
Vlerësimet janë të mëdha në mbrojtjen e investitorëve për të cilën gjykohet se vendin ynë ka fituar mjaft pikë duke u ngritur plot 154 vende, çka e rendit atë si ndër 14 shtetet më favorizuese në këtë indikator.
Ndërsa reformat e ndërmarra nga qeveria gjatë dy viteve të fundit sipas Bankës Botërore rrisin pozicionin e Shqipërisë në vend të parë për dy indikatorët e lartpërmendur.
Ndonëse vihen në dukje problemet që hasen ende në punësimin, pagesën e taksave apo regjistrimin e pronave, mbyllja e një biznesi në optikën e institucionit më të madh të financës në botë është e pamundur pasi në këtë pikë vendi ynë meriton të renditet pikërisht në fund të listës, gjendje e cila nuk ka ndryshuar që prej 2007-tës./tvklan.al