Banka Raiffeisen ka çelur sot degën e saj të 100-të në vendin tonë. Dega e më e re është hapur në zonën e Porcelanit në kryeqytet.

Të pranishëm në ceremoninë e rastit ishin edhe guvernatori Fullani dhe Ministri i Financave, Bode, të cilët në fjalën e vet theksuan se Raiffeisen po kontribuon pozitivisht në tregun tonë bankar.

Ridvan Bode: “Unë jam i bindur që Raiffeisen dhe sistemi ynë bankar do të mundësojë një mbështetje më të mirë për ekonominë shqiptare, do të kapërcejë shpejt problemet që u vërejtën në tregun rajonal, do të vitalizojë ekonominë shqiptare. Sistemi ynë bankar mbetet sistemi më i mirë në rajon për nga siguria.”

Drejtori ekzekutiv i bankës Raiffeisen në Shqipëri, zoti Oliver J. Whittle, tha se investimet në përmirësimin e shërbimeve po vijojnë.

Oliver J. Whittle: “Për vitin 2009 kemi plane ambicioze. Do të vijojmë me zgjerimin e rrjetit të degëve për të qenë më afër klientëve. Aksesi në degët tona, investimi te stafi dhe produkti na bën bankën lider në Shqipëri, e matur në depozita, kredi apo në numër degësh. “

Raiffeisen është banka më e madhe në vend si për numër degësh, ashtu dhe për shtrirjen e bankomateve. Numri i klientëve të kësaj banke e kalon gjysmë milionin./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro