Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Banorët e Bathores nuk janë të bindur nëse qeveria ka marrë ndonjë vendim konkret për legalizimin e banesave të tyre. Bathorja pret të shohë në letër vendimin e KRRTRSH, për përfshirjen e saj brenda vijës së verdhë dhe se çfarë do të përfundojë nga ky vendim.
“Në qoftë se vendimi nuk zbardhet, brenda 15 ditëve, pas datës që do të mblidhet KRRTRSH, nëse nuk zbardhet vendimi i tjetërsimit të tokës, nga ish-tokë bujqësore në tokë-truall, ne jemi të detyruar prapë të fillojmë protestat”.
Përveç legalizimit të banesave që është pika kryesore e kontratës së bërë mes protestuesve dhe qeverisë, janë gjithsej 10 pika, ku banorëve iu premtohet se do të rregullohet dhe infrastruktura. Sipas përfaqësuesve të protestës, me kanalet e ujërave të zeza, energjinë elektrike, ujin e pijshëm e të tjera probleme, në Bathore nuk po punohet.
“Ministria e Bujqësisë, dërgoi një ekskavator për të pastruar kanalet, këtë e ndërpreu dhe me këtë ne do t’i drejtohemi dhe prefektit të Tiranës. Kemi në vazhdimësi emergjencën e ujit të pijshëm, për ta kaluar nëpër lagje, ne do takohemi me prefektin e Tiranës për këtë punë”.
Komuniteti i Bathores shprehet se do të hidhet sërish në protestë, nëse qeveria nuk zgjidh problemet në afatet e premtuara./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj