Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ndërpriten protestat e banorëve të Bathores. Përfaqësues të këtij komuniteti kanë marrë premtimin nga qeveria, për plotësimin e të gjitha kërkesave të parashtruara, legalizimin e banesave, ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve, shkollave dhe krejt investimeve për zonën.

Pas një takimi të gjatë dhe me debate prej 5 orësh në Bathore, përfaqësues të komunitetit dhe qeverisë, kanë nënshkruar një akt-marrëveshje, për plotësimin e 10 kërkesave ekonomike të kërkuara disa muaj më parë.

Përfaqësuesi i qeverisë:- “Morëm sot një takim me përfaqësuesit e komunitetit të Bathores, me të cilët gjetëm mirëkuptim dhe një bashkëpunim tepër të frytshëm, të cilin si përfundim e konkretizuam dhe me një akt-marrëveshje, të përbashkët, ku në mënyrë të qartë dhe të detajuar kemi, përcaktuar edhe hap pas hapi, zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë këtë komunitet”.

Përfaqësuesi i Bathores:- “Në përpjekje me qeverinë, arritëm në një akt-marrëveshje, për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe kërkesave ekonomike që ka ky komunitet. Ne jemi të mendimit, që do të zbatojmë akt-marrëveshjen, sikur është nënshkruar nga të dyja palët”.

Banorët kanë rënë dakord, që përsa i përket legalizimit të banesave të katër lagjeve të presin vendimin e KRRTRSH, që do të ndryshojë destinacionin e truallit, nga tokë bujqësore në urbane. Ashtu siç ishte premtuar nga KESH, brenda 15 Qershorit, do të vendosen matesat e energjisë elektrike, çka do të zgjidh përfundimisht problemin me faturat afrofe.

Përsa i përket ujit të pijshëm, brenda një kohe të shkurtër do të kryhen investimet e nevojshme. Ndërsa për rrugën kryesore është lëvruar një fond prej 206 milion lekësh nga buxheti i shtetit, që zgjidh edhe problemin e kanalizimeve. Në lidhje me ngritjen e spitalit për zonën e Bathores, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë janë shprehur, se brenda javës, poliklinika e Kamzës, do të shërbejë me sistemin 24 orësh, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve.

Zgjidhje ka gjetur edhe kërkesa për shkollë, për të cilën i është lënë Ministrisë së Arsimit koha e nevojshme, për të realizuar projektin me bankën arabe, për ngritjen e një shkolle 8-vjeçare. Banorët kanë marrë përsipër të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet për studimet që do të kryen në zonë./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja