Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Fillimi i takimit të radhës midis përfaqësuesve që përfaqësojnë komunitetin e banorëve të Bathores dhe komisionit ndërministror, ka dhënë qysh në fillim shenja, se jo gjithçka do të shkonte mirë. Më pas të dyja palët u ulën në tavolinën e bisedimeve, ku nga prefekti Artan Nelaj u deklarua, se komisioni ndërministror ka ardhur jo për të dhënë llogari, por për të parë ecurinë e punëve, sipas marrëveshjes së nënshkruar më 26 Prill.
Situata u ndez kur anëtarët e komisionit që përfaqësonin banorë të Bathores u ndanë në dy pjesë dhe filluan të akuzojnë njëri-tjetrin për legjitimitetin që gëzojnë tek banorët e Bathores dhe për bashkëpunim me qeverinë. Disa nga kërkesat që kërkonin këta përfaqësues të banorëve janë fare elementare, duke përmendur këtu hapjen e disa çezmave publike, ku mund të mbushin ujë banorët.
Në fund të takimit, pas largimit të disa anëtarëve të komisionit të banorëve nga tavolina e bisedimeve, zoti Nelaj bëri disa premtime, duke mbyllur kështu edhe këtë takim.
Artan Nelaj:- “Problemi i kanalizimeve, qoftë për ujërat e zeza, qoftë për ujërat e bardha, qoftë dhe për problemet e ujësjellësit, ky po ecën paralelisht me rrugën e re. Nga 20 pika që kërkonit ju për çezma publike është menduar për 85 dalje”.
Si përfundim, pavarësisht nga debatet që pati gjatë takimit, të dyja palët ranë dakord që të përshpejtohet ecuria e problemeve që përmban akt-marrëveshja duke nxitur dhe qeverinë shqiptare në mënyrë që Bathorja të jetë në qendër të vëmendjes së saj, pasi aty jeton një komunitet prej 40 mijë banorësh me problme të mëdha ekonomike./tvklan.al