Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Legalizimi i shtëpive nuk është vetëm problem i Bathores. Kjo zonë ishte e para që kërkoi me forcë, por Lapraka, lagja e kryeqytetit, i bashkohet kërkesave të saj. Një përfaqësi e Laprakës, ka ditë që kërkon qetësisht në udhëkryqin e Unazës së Re, furnizimin me energji elektrike, ujë, drita, kanalizime të rregullta, e arsimim në kushte normale.
Janë shumë afër kryeqytetit, e një pjesë të këtyre halleve thuajse i kalojnë bashkë me të, por kryesore është bërja me shtëpi. Investimi i tyre në tokën e shtetit nuk i bënë pronarë.
Banori i Laprakës:- “Që në vitin 1993, ose është thjesht me na heq prej këtu dhe me ato pak para që na kanë çuar fëmijët tanë, me i bë pak investim në një vend tjetër, ku ajo para është e ngurosur përgjithmonë, por ne kemi bërë këto shtëpi dhe shteti as nuk interesohet, as për jetën minimale tonën, jemi tamam geto”.
Nga 85 mijë banorë që ka kjo zonë e madhe, 60 mijë mendohen të jenë të ardhur pas viteve 90. Ata shprehen se s’janë në gjendje të kryejnë asnjë veprim pa e bërë shtëpinë e tyre.
Banori i Laprakës:- “Shansi jonë është që toka nuk është me pronar është tokë e shtetit, e dyta, shteti me një ligj shumë të thjeshtë, me një të rënë të lapsit e bënë ligjin, që të legalizohen të gjitha shtëpitë, të paktën për atë që e ka ajo vetë, për tokën e shtetit”.
Kjo është lagje e madhe me katër zona elektorale, nëse askush s’interesohet për kërkesat e tyre, ata premtojnë se do të heqin dorë nga votimet në zgjedhjet e ardhshme. Këtu është përqendruar pjesa verilindore e vendit, po t’i biesh rreth, kufizimi i saj nis nga Uzina Dinamo, Bregu i Lumit, Ura e Treshit në kthesën e Kamzës, përtej urës së Lanës, Qyteti i Nxënësve, fushë Laprakë, e deri tek Zogi i Zi.
Banorët do të dalin sërish në rrugë nesër, e do të presin përgjigje nga deputetët e tyre, nëse do të merret parasysh kërkesa për legalizimin e banesave./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti