Lumi Gjadër në fshatrat Melen dhe Hajmel të Zadrimës është fryrë nga reshjet e shiut duke rrezikuar jetën e fshatarëve që kanë shtëpi në afërsi të shtratit të lumit. Banorët e zonës janë në vështirësi, shirat u kanë mbytur bagëtitë dhe u kanë prishur të mbjellat. Për më keq niveli i lumit tani është rritur duke zgjeruar edhe shtratin dhe duke hyrë deri në shtëpitë e tyre.

Banori: Dëmet mund të jenë më të mëdha kryesisht në bagëti, në misër. Pjesa andej matanë është plotësisht e përmbytur sepse niveli ka qenë shumë i lartë. Nuk mbahet mend që prej 30-35 viteve ky nivel kaq i madh i ujit. Këtu rrezikohet çdo gjë. Rrezikohet edhe pjesa e poshtme e cila është një pjesë pak më, varet nga një digë dheu e cila nga momenti në moment mund të ketë të çara dhe pastaj të kaloj në dëmtime të mëtejshme.

Gazetari: Deri ku ka mbërritur niveli i ujit?

Banori: Niveli i ujit ka mbërritur deri në 1 metër e gjysmë mbi nivelin e zakonshëm.

Këto lloj reshjesh nuk mbahen mend prej kohësh, ndërsa prurjet e lumit kujtojnë banorët nuk kanë qenë asnjëherë kaq të shumta. Shpresa e vetme mbetet të mos vazhdoj shiu, ndryshe do të prishen gjithë shtëpitë e zonës ndërkohë reshjet po shkaktojnë të tjera dëme duke rrezikuar edhe jetë njerëzish./tvklan.al