Lajme Arkiva 2003
Klanet mafioze shqiptare që merren me trafikun e drogës kanë kryer një hap cilësor duke e shndërruar qytetin e Barit në një kënd të sigurt për trafiqet e tyre. Kështu thotë një raport i dorëzuar në komisionin parlamentar të antimafias së parlamentit të shteti fqinj.
Qyteti jugor italian përball brigjeve shqiptare tashmë është kthyer në një port ku transporti legal i drogës është bërë thuajse i zakonshëm dhe në shumicën e rasteve droga vjen nga Shqipëria.
Portet shqiptare të Durrësit dhe të Vlorës janë bërë tashmë porta kryesore të kalimit të paligjshëm të lëndëve narkotike. Alarmin e tyre autoritetet italiane e kanë shoqëruar edhe me shtimin e masave veçanërisht në portin e Barit.
Nuk mungojnë edhe të dhënat. Vetëm gjatë periudhës nga 1 Janari-31 Gusht të këtij viti, në portin Barit janë sekuestruar 229 kilogram heroinë, shifër kjo e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është trefishuar dukë u kujtuar sasinë prej vetëm 75 kilogram heroinë të sekuestruar atëherë.
Më 17 Gusht një i ri shqiptar i cili zbriti nga një traget që vinte nga porti shqiptar i Vlorës u kap me 27 kilogram heroinë në bordin e makinës së tij. Fill pas kësaj u shkarkua shefi i policisë së portit në Vlorë si edhe një kontrollor, por rasti më i fundit i trafikut të drogës në Bari është ai i djeshmi.
Një i ri 21 vjeçar shqiptar rezident i rregullt në Itali që vinte nga Durrësi me tragetin Polus është arrestuar pasi brenda makinës së tij, qentë antidrogë zbuluan jo pak po 15 kilogram heroinë.
Autoritetet e policisë italiane pohojnë se rasti i radhës së trafikimit të drogës i parandaluar në kohë rikonfirmon faktin që klanet mafioze shqiptare po forcohen dita ditës dhe për këtë po bashkëpunojnë fort dhe me klanet e vjetra të njohura mafioze dhe italiane dhe për më tepër nuk kanë ndërmend të ndalojnë./tvklan.al