Kryetari i PD, Lulzim Basha, në vijim të turit të takimeve me të rinjtë, bashkëbisedoi me një grup gjimnazistësh me të cilët diskutoi problematikat e arsimit parauniversitar. Shqetësimi i parë që ngritën gjimnazistët ishte ai i pandemisë së Covid-19.

“Ne shpalosëm një plan me 5 hapa kundër krizës dhe hapi i dytë pas shëndetësisë që kishte të bënte me spitalet dhe me të sëmurët, kishte të bënte me arsimin. Që shkollat tona t’i bënim të sigurta. Dhe propozuam disa hapa. Hapi i parë: Testimin masiv dhe pastaj periodik të mësuesve. Hapi i dytë, subvencionimin e plotë dhe mbikqyrjen e dezinfektimit periodik të ambienteve shkollore. Hapi i tretë, vaksinimi masiv për gripin sezonal që të mos i mbivendosej komplikacioneve që sjell pastaj infektimi me koronavirus. Dhe po kështu pajisja me ato mjetet mbrojtëse që nga dezinfektanti, tek maskat sepse shumica dërrmuese e familjeve shqiptare e kanë të vështirë, shumë prej tyre të pamundur t’i sigurojnë ato. Me marrjen e këtyre masave, sigurisht nuk do ta eliminonim tërësisht rrezikun, por jam i bindur që do të reduktojë në mënyrë të ndjeshme. Asnjë prej këtyre masave nuk u mor dhe s’ka si të merret nga  një qeveri që prej 7 vite në pushtet nuk ka siguruar as ujë të rrjedhshëm. Në 70% të shkollave të Shqipërisë nuk ka ujë të rrjedhshëm ku hapi i parë kundër pandemisë, por hapi i parë edhe për higjienën personale, është larja e duarve edhe pa pandeminë. Megjithatë dua t’ju them se këto dështime dhe pastaj përgjigjet pa plan, kaotike siç ishte ajo e kalimit nga regjimi normal mësimor në regjimin e pjesshëm, që ndodhi brenda 24 orëve, kur 24 orë më parë kryeministri tha nuk ka problem, shkollat kështu siç janë, pas 24 orësh del ministria vetë dhe tha jo duhet mbyllur dhe duhet filluar pjesërisht, këto do të marrin fund. E vetmja gjë, e vetmja diferencë midis situatës ku jemi sot dhe situatës që mund të kishim, në qoftë se do të ishin marrë këto masa, është një qeveri e përgjegjshme. Nuk ka nevojë të shpikim rrotën. Mjafton që të financonim këto hapa që ju përmenda, mjafton që të merrnin masat për higjienën minimale në shkolla, mjafton që jo në 7 vite por edhe brenda 1 viti e gjysmë, 2 vitesh në qoftë se qeveria ka vullne,  uji i rrjedhshëm në çdo shkollë duhet të jetë realitet  edhe në shkollat më të largëta të vendit dhe mbi të gjitha duhet me çdo kusht që nxënësit,  mësuesit, prindërit të kenë mundësinë të planifikojnë pak më përpara. Për këtë duhet që i pari i shtëpisë , i pari i shtetit, qeveria, kryeministri ta bëjë këtë plan përpara. Njëherë tërmeti, tani pandemia një gjeneratë e tërë që po humb një vit shkollor, është e paprecedentë dhe kjo sjell pasoja të mëdha. Këto janë problemet. Ne sigurisht atë plan që i vumë në dispozicion qeverisë, jemi të gatshëm ta nisim ta zbatojmë prej ditës sonë te parë të marrjes së përgjegjësive të qeverisjes së vendit. Është plotësisht e përballueshme në qoftë se prioriteti jeni ju dhe për mua ju jeni prioriteti. Ju te dhjetë këtu dhe jo 10 oligarkët dhe qindra e mijëra të tjerë si ju, të jeni të sigurt që do të marrim të gjitha masat që të paktën standardet që sigurojnë vendet e tjera të rajonit për sa i përket arsimit parauniversitar, por edhe atij universitar, t’u garantohen edhe të rejave edhe të rinjve shqiptarë”, tha Basha.

Duke u ndalur tek problematikat e arsimit, kreu i opozitës tha se garancia për një nivel të mirë studentësh, është cilësia e arsimit parauniversitar.

“Mënyra e vetme për ta garantuar është që shteti të investojë në arsimimin profesional. Por në planin tonë, një vend të veçantë për rritjen e ekonomisë kanë investimet e huaja. Prioriteti numër 1 i qeverisë së ardhshme do të jetë punësimi e në veçanti, punësimi i rinisë. Kur thua prioriteti i qeverisë, kini parasysh financimin. Prioritet nuk do të thotë të marrësh tribunën e të flasësh me orë të tëra, apo të gdhihesh e të ngrysesh në Instagram. Prioritet do të thotë të dedikosh fonde, t’ju tregosh investitorëve që je serioz, do të thotë të dedikosh fonde për uljen e taksave dhe për financimin e arsimit profesional dhe kjo do të jetë një nga fushat ku ne nuk do të rreshtim asnjë përpjekje dhe padiskutim përfitimin e kësaj do ta ndjejnë të gjithë, në veçanti do t’i ndjejë rinia”, tha Basha./tvklan.al