Lulzim Basha: “Në përfundim unë them se largohem me përshtypjet më të mira nga Lisbona pas këtij takimi, me garanci se Portugalia do të përmbyllë shumë shpejt procesin e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO të Shqipërisë dhe të Kroacisë dhe me një garanci të dytë dhe në më pak se 48 orësh së pari nga ministri i jashtëm spanjoll dhe sot nga ministri i jashtëm portugez, se të dy vendet mbështesin qartësisht dhe vokalisht aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, atë që njihet ndryshe si aplikimi i përshtatësve të kandidatit”.

Gazetarja: Nga pikëpamja e shifrave. A është e saktë të themi që mbeten ende 7 vende për të ratifikuar protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO?

Lulzim Basha: “Mbetet akoma formalisht Portugalia, Greqia, Sllovenia, Luksemburgu, Holanda dhe Islanda. Pra 6 vende dhe prej secilin prej këtyre vendeve duket se procesi është vënë në rrugë të mbarë. Unë javën që vjen jam i ftuar për një vizitë në Islandë ku do të takoj homologun tim Ministrin e Punëve të Jashtme të Islandës dhe po kështu jam i informuar se paraprakisht Parlamenti i Islandës duket se ka vënë po me datë 12 në agjendën e tij shqyrtimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Pra nga vështrimi i sotëm mund t’ju them se ne kemi një bindje gjithmonë e më të madhe, se shkurti do të jetë edhe muaji i përfundimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO”./tvklan.al