Në Pomorje të Bullgarisë u zhvillua samiti i kryetarëve të shteteve të qeverive të vendeve anëtare të procesit të bashkëpunimit për Evropën Juglindore. Ministri i jashtëm Lulzim Basha, i cili kryesojë delegacionin shqiptarë, vuri theksin tek lehtësimi i lëvizjes me qëllim, plotësimin e proceseve integruese.
Lulzim Basha: “Pas hapjes së dialogut për liberalizimin e vizave, ky ishte forumi i parë i këtij niveli të lartë që rikonfirmojë vullnetin e vendeve të rajonit për të ecur përpara me këtë proces shumë të rëndësishëm që do të garantojë lëvizjen e lirë të qytetarëve brenda rajonit tonë dhe në hapësirën e BE. Së dyti ishte një oportunitet shumë i mirë për të thelluar përkushtimin e Shqipërisë në rrugën e reformave, të cilat bënë të mundur ftesën për anëtarësim në NATO dhe të cilat po bëjnë të mundur negociatat e suksesshme që presim të finalizohen së shpejti me nënshkrimin e protokolleve të aderimit nga Shqipëria dhe Kroacia”.
Kosova ishte një tjetër çështje e prekur në këtë samit ku ajo përfaqësohej për herë të parë me anë të ministrit të jashtëm Skënder Hyseni. Ministri Basha kërkoi përfshirjen e plotë të shtetit të ri në të gjitha strukturat dhe forumet e procesit të bashkëpunimit për Evropën Juglindore. Por përfaqësuesit serb në këtë samit presidenti Tadic dhe ministri i jashtëm Jeremic, u larguan nga salla në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në kohën e fjalës së ministrit Hyseni./tvklan.al