“Rimbursim 100 % të ilaçeve dhe mjekimit për Covid”
Nga Durrësi ku u takua me biznesin e vogël, i prekur jo vetëm për shkak të pandemisë por edhe Tërmetit të 26 Nëntorit, Lulzim Basha i kërkoi sërish Kryeministrit Rama të lërë propagandën e të vërë menjëherë në zbatim planin 5-pikësh të opozitës për 6 muajt në vijim.
“Deri më 25 Prill ka përgjegjësinë ti përgjigjet njerëzve dhe ky njeri mos dalë në konferenca. Jepini fund lojrave dhe propagandës, mos u merrni me opozitën por merrni planin tonë me pesë pika”.
Biznesi iu ankua për rënie të ndjeshme të konsumit, por kryedemokrati i tha se për përballimin e kësaj situate qeveria mund të aplikojë një skemë të qartë për këtë kategori, të propozuar nga opozita.
“Çdo biznes i vogël të ndihmohet me një çek direkt 1 mijë Euro. Ndërkohë, te personat që kanë humbur punën, që llogariten mbi 100 mijë, duke përfshirë dhe ata që nuk janë të regjistruar, t’u jepen një pagesë prej 160 mijë Lekë të vjetra në muaj, që është minimum jetik, duke I dhënë çdo punëdhënësi 200 mijë Lekë të vjetra për të rimarrë dikë që ka humbur punën. 20 mijë Lekë të vjetra pensionistëve. Kjo sjell një impakt. Impakti i parë është që rrit konsumin”.
Për të infektuarit nga Covid-19, kryedemokrati propozon rimbursim të plotë të mjekimit.
“Edhe për këta kemi propozuar që kush është i sëmurë dhe trajtohet në shtëpi për COVID t’i rimbursohen 100% medikamentet, i gjithë trajtimi”.
Sipas Bashës, qeveria duhet t’i japë fund praktikave abuzive e korruptive me koncensionet, paratë e të cilave duhet të shkojnë në xhepat e shqiptarëve.
Tv Klan