Pep Guardiola dhe Cristina Serra vendosën të ndahen, pas 30 viteve bashkë. Trajneri i Manchester City-t po përballet me probleme të mëdha këtë sezon te skuadra angleze, të cilave tashmë iu shtohen edhe ato familjare.
Ndarja ishte disi surprizuese, për shkak se Pep Guardiola dhe Cristina Serra kanë qenë një nga çiftet më jetëgjata në botën e futbollit. Ata u njohën në vitin 1994, kur ish-futbollisti i Barcelonës ishte 23 vjeç, ndërsa ajo 20 vjeç.
Ndarja ende nuk është zyrtarizuar nga palët, por rrugët e tyre janë ndarë në muajin Dhjetor të vitit të kaluar, pas një vendimi të marrë bashkërisht.
Sipas “DailyMail”, shkak për ndarjen është bërë jeta e tyre në distancë. Cristina Serra u largua nga vitin 2019 nga Anglia, për tu rikthye në Barcelonë, aty ku drejton një biznes mode.
Në krahun tjetër, Pep Guardiola nga viti 2016 jeton në Mançester, për shkak se drejton skuadrën e City-t.
Marrëdhënia në distancë duket se është kthyer në problematike për të dy dhe për këtë arsye vendosën se zgjidhja më e mirë është ndarja.
Guardiola dhe Serra qëndruan bashkë për shumë vite, por vetëm në vitin 2014 vendosën të martoheshin, në një ceremoni private dhe larg mediave. Ata kanë tre fëmijë, Maria 24 vjeç, Marius 22 vjeç dhe Valentina 17 vjeç. /tvklan.al