Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Për rreth 20 minuta, 5 deputetët e opozitës, në komisionin hetimor anti-Rama kanë qëndruar në mesditë, para derës së mbyllur të Bashkisë së Tiranës. Ashtu siç kishin paralajmëruar publikisht dhe me anë të një shkrese kryebashkiakun e Tiranës, ata u treguan të përpiktë, por në bashki siç iu thanë prapa hekurave nuk ndodhej askush për t’i pritur dhe për t’ju dhënë disa dokumente, që u duheshin për punën e komisionit.

Sokol Olldashi:- “Epo kryetar bashkie, që fshihet edhe në bashki dmth. vetëm Edi Ramën mund të gjeni. Zoti polic, ju keni detyrimin të mos zbatoni urdhra të paligjshëm. E kuptojë që ju jeni në pozitë të vështirë se këtë urdhër keni marrë, por po ju kujtojë që keni detyrimin për të mos respektuar urdhra të paligjshëm”.

Zoti Rama që më parë rreth orës 10 të paradites, kishte dërguar në Kryesinë e Kuvendit një letër, ku kërkonte t’i viheshin në dispozicion disa akte për funksionimin e komisionit përfshirë dhe planin e hetimit, siç thonë dhe socialistët e komisionit hetimor. Në këtë gjendje të tensionuar, kryebashkiaku Rama nuk ka nguruar të përdor edhe ironinë. Siç duket në dokument, si asnjëherë tjetër, ai ka firmosur letrën me emrin Edvin Rama, ashtu siç e thërret lideri i opozitës Sali Berisha.

Përveç këtyre, sipas zotit Rama, kërkesës së deputetëve iu mungonte vula e Kuvendit, çka e bënte atë një dokument jo zyrtar, por kryetari i komisionit, demokrati Sokol Olldashi, e ka quajtur gjithçka një mashtrim të kryebashkiakut të Tiranës.

Sokol Olldashi:- “Atëherë, pika e parë ku mbështet zoti Rama thotë, “shkresave tuaja iu mungon vula e Kuvendit”. Tani unë po ju tregojë, se zoti Rama mashtron në mënyrë të paturpshme, sepse kjo është shkresa që ne i kemi drejtuar dhe sikurse mund ta shikoni të gjithë përmban vulën e Kuvendit të Shqipërisë dhe është dërguar zyrtarisht nga protokolli i Kuvendit të Shqipërisë”.

Ndërkohë edhe anëtarët socialist të komisionit hetimor anti-Rama, e kanë cilësuar si të paligjshëm, veprimin e kryetarit të komisionit Sokol Olldashi.

Bardhyl Agasi:- Përfaqësuesit e opozitës, pa u miratuar plani paraprak i hetimit dhe plani i hetimit, ndërmorën veprim të paligjshëm, duke kërkuar fillimin e hetimeve në Bashkinë e Tiranës./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço