Kane e Musiala kërcënojnë Leverkusen

Bayern Munich nuk heq dorë nga gara për titull në Bundesligën gjermane. Bavarezët fituan takimin e javës së 26-të ndaj Darmstadt, duke triumfuar me shifrat e thella 5-2. Skuadra e Thomas Tuchel e gjeti veten në disavantazh pas 28 minutash lojë, gjithsesi, arriti që të përmbysë gjithçka brenda pjesës së parë të lojës.

Fillimisht, Musjala autor i një dopiete dhe asisti në këtë 90 minutësh vendosi ekuilibrat me golin e barazimit 1-1. Pak minuta më pas, Kimish në limitet e fushës asistoi për Harry Kane për t’i dhënë kështu avantazhin Bayern Munich. Anglezi u hodh bukur me kokë për golin e 31 në kampionat dhe të 36 në total në sezonin e parë në Gjermani.

Në fraksionin e dytë të lojës, Bayern gjeti edhe dy herë rrugën e rrjetës. Musjala kompletoi dy golëshin në këtë takim për t’u ngjitur në kuotën e 10 të tillëve në kampionat. Pokeri u kompletua nga Gnabry, i cili tre minuta në fushë dhe gjeti golin pas një asisti nga këmbët e Musjala. Në minutat shtesë u shënuan edhe dy gola të tjerë, që gjithsesi nuk prishën rrjedhën e kësaj sfide.

Me këtë fitore, Bayern Munich numëron 60 pikë në vendin e dytë, distancuar me 7 nga Leverkusen kryesues, që ka edhe një takim për të rikuperuar. Ndërkaq, Darmstadi i mesfushorit të kombëtares, Klaus Gjasula, i hedhur në fushë në të 79-ën rrezikon rënien një kategori më poshtë pasi gjendet në vendin e fundit të renditjes.

Klan News