Jo vetëm institucionet shqiptare, por as Banka Botërore që dha 120 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve, nuk është kujtuar të përfshijë në projekt edhe pemët e bimët dekorative.
Edhe pse janë pjesë tërësore e rrugëve dhe janë mbjellë në funksion të tyre, në kontratën e nënshkruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me 4 kompanitë që kanë fituar tenderat, sipas projektit të Bankës Botërore, nuk ka asnjë klauzolë për t’u kujdesur për gjelbërimin, përveç se në rastet kur kompanitë e mirëmbajtjes e dëmtojnë atë.
Televizioni Klan që denoncoi tharjen e pjesës më të madhe të pemëve dhe bimëve dekorative, ka siguruar edhe kontratën e këtij projekti.
Dhe është e çuditshme se si edhe Banka Botërore, që në çdo projekt të saj apo të financuar prej saj ka rekomandime specifike për mjedisin, të mos e ketë përfshirë bimësinë në financimin prej 120 milionë eurosh për t’u kujdesur për mirëmbajtjen dhe sigurinë e rrugëve kombëtare.
Televizioni Klan kontaktoi zyrtarisht me zyrën e Bankës Botërore në Tiranë dhe në përgjigjen e saj, Banka kërkon kohë që të shprehet më qartë për këtë çështje, ndërsa thotë se hartimi i kontratës është bërë nga autoritetet shqiptare.
Pas denoncimit të lënies pasdore të bimësisë dekorative në këto akse, për të cilën janë shpenzuar miliona euro nga taksat e qytetarëve, i vetmi institucion që reagoi ishte Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Drejtuesit e tij thanë se do të kërkojnë ndryshimin e marrëveshjes me kompanitë që kanë fituar tenderin e mirëmbajtjes, por në kontratë specifikohet se ajo mund të ndryshojë vetëm me pëlqimin e palëve.
Por edhe kjo iniciativë përbën një zgjidhje të përkohshme, pasi kontratat janë 5 – vjeçare dhe pas përfundimit të tyre, pemët dhe bimët dekorative do të lihen sërish në mëshirë të fatit.
Për gjelbërimin në autostradën Plepa – Vlorë është kujdesur për 1 vit, si pjesë e garancisë së kontratës, një kompani privave që e mbolli bimësinë.
Pas skadimit të afatit, pjesa më e madhe e pemëve, siç shihet në këto pamje të transmetuara në kronikat e Tv Klan, është tharë, duke çuar dëm një investim miliona eurosh, të paguara nga buxheti i shtetit.
Ekspertë të rrugëve thonë për Tv Klan se vetëm një projekt afatgjatë për mirëmbajtjen e gjelbërimit do ta shpëtonte pjesën e mbetur të këtij investimi dhe do të zëvendësonte në kohë bimët e thara, si pasojë e lënies së tyre si mall pa zot, në të gjitha rrugët e Shqipërisë.
Tv Klan