“Rritet varfëria, shumë biznese mund të mbyllen, kërcënohet rritja e borxhit“
Banka Botërore projekton se ekonomia shqiptare do të bjerë në recesion për këtë vit për shkak të prekjes nga pandemia e COVID-19.
Në “Përditësimin ekonomik për rajonin e Europës dhe Azisë Qëndrore” vlerësohet se ekonomia në këto vende gjatë këtij viti do të tkurret mes normave minus 2.8% dhe minus 4.4%.
Për vendin tonë projektohet se rënia e rritjes ekonomike do të jetë minus 1.4%. Banka Botërore nënvizon se ky parashikim është i përkohshëm pasi nuk dihet se sa do të zgjasë pandemia.
“Nëse COVID-19 zgjat përtej Qershorit, ose kthehet në vitin 2021, efekte të mëdha negative do të godasin konsumin. Rënia e mëtejshme e çmimeve të naftës do të humbte edhe 0.5% të prodhimit kombëtar, ndërsa tkurrja e taksave nga kjo lëndë do të rritë presionet në borxhin publik dhe do të detyrojë qeverinë të shtyjë financimet e rindërtimit”.
Borxhi publik për këtë vit mendohet të rritet në 71.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 68% që ishte një vit më parë, ndërsa shprehet shqetësim për faktin se marrja e huave në tregjet e huaja do të jetë më e vështirë në këtë kohë, kur të gjitha shtetet po rritin borxhin.
“Likuiditeti i bollshëm në sistemin bankar vendas mund të zvogëlojë risqet e menjëhershme të financimit”.
Situata e COVID-19 pritet të rrisë me mbi 11 mijë numrin e popullsisë së varfër që jeton me më pak se 5.5 Dollarë në ditë, thotë Banka Botërore.
Raporti vlerëson se manifaktura, turizmi, tregtia dhe shërbimet do të jenë sektorët më të goditur, të cilët kërcënojnë vendin edhe me rritjen e numrin e të papunëve.
Eksportet parashikohen që këtë vit të tkurren me minus 17%, ndërsa nëse pandemia mbaron shpejt, të gjitha vendet mund të rimarrin veten vitin e ardhshëm.
Tv Klan