Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato i ka bërë thirrje opozitës dhe qeverisë që të ulen në tryezën e dialogut dhe të diskutojnë për arritjen e një zgjidhje politike, ku sipas tij dhe opozita duhet të ndihet e dëgjuar.

Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato: Duke pasur parasysh rëndësinë e reformave të integrimit është e rëndësishme që mazhoranca dhe opozita të ulen në tryezën e dialogut. Të gjithë duhet të ndihen autorë të procesit politik. Nuk mendoj se dhuna dhe ndërprerja e mbarëvajtjes së veprimtarisë se institucioneve është mënyra e duhur. Ka mënyra të tjera për dialog politik. Kjo kërkon angazhim nga të dyja palët. Shpresoj që të gjendet një rrugë për të riorganizaur opozitën.

Kryeministri Rama tha se qeveria gjithmonë do të jetë e gatshme për dialog.

Kryeministri Edi Rama: Kur duhet të vallëzosh, duhen dy vetë dhe nuk hidhet vallja nëse të dy nuk duan ta hedhin vallen. Kush është për dialog, sot është shumë e thjeshtë kush është i gatshëm të flasë. Kush nuk është për dialog është shumë e thjeshtë, nuk është i gatshëm të flasë. Dhe nëse nuk ka gatishmëri nga të dyja anët për të folur, s’ka dialog. Ndjehen të përjashtuar, më vjen shumë keq! Është vetpërjashtim absolut, pa asnjë bazë faktike të lidhur me qasjen dhe qëndrimet tona. Është zgjedhja e tyre legjitime. Jemi një vend i lirë demokratik secili bën zgjedhjen e vet edhe zgjedhja për të vrarë veten është politikisht legjitime. Nuk ndalohet.”

Rama e konsideroi progress-raportin më pozitiv në vite.

Kryeministri Edi Rama: Raporti më pozitiv i të gjithë këtyre viteve dhe normalisht sepse e tillë është edhe ecuria e vendit dhe konferenca e dytë ndërqeveritare afirmoi faktikisht njohjen nga të gjitha institucionet dhe vendet e Bashkimit Europian të përparimit të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve për këtë fazë të negociatave për anëtarësim.

Gonzato e vlerësoi objektivin e Ramës që të mbyllë grup kapitujt brenda 2027.

Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato: Kjo kërkon përpjekje të konsiderueshme dhe vullnet politik nga Shqipëria si dhe gadishmëri nga vendet anëtare për të rënë dakord për çeljen e kapitujve. Nëse shtetet anëtare janë të bindura se Shqipëria vërtet ka bërë progres jam besimplotë se mund të arrihet qëllimi. Është e rëndësishme të kesh një objektiv sepse nxit procesin e integrimit tëShqipërisë.

Ambasadori Gonzato i përsëriti mesazhet për bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës edhe në Parlament.

Klan News