Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka deklaruar se uria po përdoret si një armë lufte në Gaza. Borrell e përshkroi mungesën e ndihmave që hynin në territor si një fatkeqësi të krijuar nga njeriu. Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, Borrell tha se kriza humanitare në territor ishte si rezultat i mungesës së rrugëve tokësore të qëndrueshme.

“Tani po përballemi me një popullsi që lufton për mbijetesën e vet. Ndihma humanitare duhet të hyjë në Gaza dhe Bashkimi Evropian po punon për ta bërë të mundur. Kriza humanitare është e krijuar nga njeriu. Uria po përdoret si një armë lufte dhe kur ne e dënuam këtë që po ndodh në Ukrainë, duhet të përdorim të njëjtat fjalë për atë që po ndodh në Gaza”, u shpreh Borrell.

Komentet e tij vijnë pasi OKB-ja paralajmëroi se të paktën 576,000 njerëz në Gaza, një e katërta e popullsisë, ishin një hap larg urisë. Një anije spanjolle që transportonte furnizime ushqimore të nevojshme është larguar nga Qiproja për në Gaza, por OKB thotë se kjo nuk mund të zëvendësojë dërgimin e ndihmave nga toka.

Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se ofensiva në Gaza do të vazhdojë. Izraeli thotë se nuk është fajtor për mungesën e ushqimit në Gaza, pasi po lejon ndihmat përmes dy kalimeve në jug. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka raportuar se të paktën 27 njerëz, shumë prej tyre fëmijë, kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes dhe dehidrimit në spitalet në Gaza gjatë 2 javëve të fundit./tvklan.al