Në analizën për futbollistët e kombëtares në ndeshjen kundër Italisë, Ditmar Bicaj dhe Gentian Alinani vlerësojnë si lojtarin më të mirë Berat Gjimshiti. Në bisedën me “Shije Shtëpie” në Tv Klan, gazetari Alinani tha se secili lojtar kishte diçka që mund ta bënte më mirë, por Gjimshiti nuk la hapësira.
Ish-futbollisti Bicaj tha se kapiteni i kuqezinjve ka thyer çdo rekord me numrin e ndeshjeve ku ka qenë i pranishëm në brenda një sezoni futbollistik.
Gentian Alinani: Ishte ai që të paktën duelin dhe detyrat e veta i bëri ashtu siç duhet sepse pastaj pjesa tjetër e skuadrës kishte ato pengjet për secilin nga lojtarët që po sikur të bënte diçka më mirë ky, po sikur Asani ose Hysaj e tjerët?
Ditmar Bicaj: Vazhdon të jetë një kapiten i vërtetë, mos të harrojmë që është një rast shumë i rrallë për një futbollist shqiptar, 67 ndeshje brenda një sezoni futbollistik. Berat Gjimshiti ka thyer çdo lloj rekordi, 67 ndeshje. Për ne që merremi me futboll, janë jashtëzakonisht shumë.
Disa lojtarë ishin nën pritshmëritë e tifozëve dhe analistëve. Edhe në këtë pikë, Bicaj dhe Alinani ranë dakord për dy prej futbollistëve me performancën më pak të mirë: Seferi dhe Mitaj. Gazetari u shpreh edhe për Asanin që sipas tij nuk ishte ‘shpëtimtari’ këtë herë.
Gentian Alinani: Taulant Seferi nuk bëri ndeshjen e tij më të mirë. Në miqësore që luajti Shqipëria bëri paraqitje shumë pozitive, dha sinjale sikur do të ishte një lojtar edhe në ndeshjet zyrtare në atë nivel, por në krahun e tij vuajti shumë edhe për faktin që kishte përballë një lojtar si Chiesa te Italia që u shpall më i miri i ndeshjes apo Di Lorenzo që shtyn pafund.
Ditmar Bicaj: Edhe për faktin se ka shkuar në një kampionat që nuk ka ritmin e kampionateve të Europës. Mos të harrojmë që ka shkuar në Dubai edhe në Dubai do të bësh stërvitje në orën 10 të darkës se temperaturat i ke shumë të larta dhe je i privuar nga shumë gjëra.
Gentian Alinani: Për mos të lënë vetëm Seferin, Jasir Asani nuk ishte në ditën e tij më të mirë që na ka mësuar gjithmonë, ai njeriu që bëhet hero nga hiçi dhe zgjidh ndeshjet. Nuk duhet t’i vëmë shumë faj sepse Italia në fakt është një skuadër që na gënjeu në miqësoret që zhvilloi para ndeshjes me Shqipërinë. Nuk ishte ajo njësia matëse, këtu në Shqipëri u krijua një lloj ideje që Italia ishte më e dobët se çdo herë tjetër, se do ta mundnim, se do të merrnim fitore, por ka bërë ndeshjen më të mirë në këto 10 ndeshjet e Spalletti-t me Shqipërinë. Ndoshta për fatin tonë të keq e gjetën atë ndeshje që të bënin një performancë të mirë ata, pak për meritën e tyre, pak për fajet tona le të themi kështu, ajo ndeshje shkoi si shkoi.
Ditmar Bicaj: Mos të harrojmë, paraqitja e Mario Mitaj, si duket presioni ka qenë shumë i madh tek ai sepse kishin ardhur edhe nga Seria A për ta ndjekur dhe si duket edhe mosha e re, presioni jashtëzakonisht shumë i madh, personalisht mendoj që nga këto 10 ndeshje, kjo ka qenë ndeshja më e dobët./tvklan.al