Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha denoncon një skandal në Hipotekën e Tiranës. Në regjistrin ku hipotekohen pasuritë janë grisur fletë të vjetra dhe janë zëvendësuar me të reja e të paplotësuara duke i ngjitur ato. Sipas Berishës, falsifikimi i dokumenteve të tilla pronësish është i dukshëm, pasi fletët e regjistrit plotësohen sipas numri rendor nga 1 e me radhë, ndërsa në këtë rast shikohet se jo të gjitha faqet janë të plotësuara njëra pas tjetrës, por disa në fillim e disa në fund të regjistrit. Kartelat bëjnë fjalë për kadastrën me numër 2105 për pasuritë në zonën e Kasharit fshat i Tiranës.

Sali Berisha: “Deri në faqen 11, vazhdon kjo deri në faqen 85, e mbushur, zona kadastrale e njëjtë. Faqja 86 e grisur në regjistër dhe vendosur faqe bosh. Faqja 87 e mbushur, faqja 88 e grisur në regjistër e lënë bosh e vendosur faqe bosh. Ftoj prokurorin të mos flejë mbi dosje krimi dhe prokurorinë, por të shkojë të kontrollojë regjistrin e zonës kadastrale 2105 dhe do të gjejë në regjistër të gjitha këto faqe bosh me një dallim të madh nga faqet e mëparshme siç ka vera me vjeshtën të bardha, të sapo vendosura me të zverdhura prej shumë vitesh.”

Partia Demokratike do të punojë për të gjetur të tjera fakte. /tvklan.al