Konferencën për shtyp Kryeministri Sali Berisha e filloi menjëherë me një apel publik drejtuar Kryetarit të Partisë Socialiste të fusë në Kuvend grupin e deputetëve, thirrje kjo që sikundër tha kryeministri, respekton edhe frymën e rezolutës së miratuar një ditë më parë në Këshillin e Evropës.
Sali Berisha: “E garantoj, se ky akt do të shoqërohet me ngritjen e menjëhershme të Komisionit Hetimor Parlamentar për të hetuar me seriozitetin më të madh të gjitha pretendimet e z. Rama, përveç natyrisht çështjeve të gjykuara, të cilat në asnjë rrethanë nuk mund të jenë objekt shqyrtimi politik”.
Këtu kryeministri kujtoi amendamentin 5 që ju bashkëngjit rezolutës, që flet për hetim parlamentar njëkohësisht kushtetues te zgjedhjeve. Berisha tha, se në këtë mënyrë ndërkombëtarët përjashtuan hetimin politik të zgjedhjeve.
Sali Berisha: “U bë me të vetmin, qëllim absolutisht jo për të zhvlerësuar rezolutën, jo dhe jo përkundrazi, u bë për të forcuar rezolutën, sepse në rast se do lihej shprehja “komision për të hetuar zgjedhjet” njëra palë mund të thoshte se kjo i përfshin të gjitha. Jo, nuk mund t’i përfshijë. Ka një kufij, ka një limit dhe këto limite i ka përcaktuar Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese e vendit”.
Duke përsëritur apelin drejtuar Kryetarit të Partisë Socialiste, kryeministri i sugjeroi Edi Ramës të dëgjojë sugjerimet e miqve të tij ndërkombëtarë, të cilët gjithashtu janë shprehur kundër bojkotit si qëndrim antidemokratik.
Sali Berisha: “Ata që qartësisht kanë faktuar veten si miq të palëkundur të Partisë Socialiste, qoftë në Bruksel, qoftë në Strasburg, të cilët absolutisht e bëjnë thirrjen vetëm e vetëm në respekt të shtetit ligjor, që është bërë universalisht e qartë s bojkoti nuk mund të pranohet. E ftoja unë, e fton e gjithë Evropa, por që atë ftesën e ka nga miqtë më të mirë të Partisë Socialiste në Evropë. Unë nuk mund ta marr atë qëllimin e djeshëm, s’dua ta komentoj, por ai tingëllonte si një lloj karshillëku, ku të gjitha thirrjet ishin që “kthehu në parlament”, “që bojkoti është antidemokratik”, “që bojkoti është i papranueshëm” , ky doli tha të vazhdojmë bojkotin”.
Në emër të një marrëveshje politike Kryeministri tha, se është i hapur të pranojë këdo për të negociuar mes palëve, por atë çka theksoi si fakt është bashkimi në një mëndje i ndërkombëtarëve apo dhe Presidentit të Republikës Bamir Topi, në qëndrimin kundër hetimit politik të zgjedhjeve, si akt që dëmton parimet kushtetuese.
Sali Berisha: “Unë Sali Berisha nuk refuzoj asnjëri. Unë kam një interes, atë të vendit. Në qoftë se Presidenti i Republikës e gjykon se mund të bindë Partinë Socialiste, z.Rama për t’u përshtatur më rregullat themelore të shtetit ligjor që janë respektive të vendimit të gjykatave, unë e mirëpres pa asnjë hezitim, jo vetëm të presidentit, të cilitdo. Unë kam dëgjuar Presidentin të deklarojë jo njëherë por në mënyre të përsëritur, se si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ai nuk mund të konceptojë që të merret me vendimet e gjykatave”.
Mungesa e një marrëveshje politike deri në 4 mars kur përfundon afati kushtetues për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve, bazuar në nenin 71, nuk duket se do të jetë pengesë për ligjin themelor dhe zbatimin e tij nga institucionet. Mbi këtë çështje, Berisha dha këtë argument.
Sali Berisha: “Kushtetuta e vendit nuk mund të mbetet kurrë peng e bojkotit. Nenet e saj më datën 4 mars janë të gjithëfuqishme. Mos bërja e betimit është përcaktuar në Kushtetutën e vendit si një kusht i pavarur për të humbur mandatin. Mosparaqitja 6 muaj rresht është përcaktuar si kusht për të mbrojtur parlamentin. Këtu nuk është shumica që vendos, këtu është z. Rama që vendos për t’jua djegur mandatin, ose jo atyre 64 deputetëve”.
Këtu kryeministri komentoi atë çka qarkullon si opsion për mos djegie të mandateve, futja dhe dalja sërish nga kuvendi e ligjvënësve socialist.
Sali Berisha: “Por do të ishte një absurditet madhor kjo. Çfarë do thuash tani? Edhe martohem edhe s’martohem, edhe shkoj një natë nuse edhe dal të nesërmen. Vjen i vetëm në këtë pozitë tani. Nuk martohem por një natë po shkoj nuse”.
Gjatë gjithë konferencës për shtyp kryeministri Sali Berisha artikuloi disa herë apelin drejtuar opozitës për hyrjen në Kuvend, dukë i ofruar asaj zërin kryesor në bërjen e reformës zgjedhore./tvklan.al