Pavarësisht se mazhoranca i rrëzoi 32 amendamentet e demokratëve për buxhetin e vitit 2025, Sali Berisha njoftoi nga mbledhja e grupit parlamentar se ato do jenë “alfa” e programit për zgjedhjet e pranverës.

“Do votohen vitin e parë të qeverisjes sonë.”

Ministret e qeverisë i akuzoi për luks të shfrenuar, teksa për analogji solli rastin e Zonjës së Parë në Korenë e Jugut.

 “Koreja e Jugut desh mori flakë për një çantë “Christian Dior” të Zonjës së Parë.Çantat që hyjnë dhe dalin në Parlament qeveritaret, Hermes Birkin, Bottega Veneta kushtojnë nga 200-500 mijë euro.”

Hetimi parlamentar për Portin e Durrësit do të jetë një ndër kërkesat e demokratëve në Kuvend.

“Nga viti 1990 gjer sot, afera më e madhe korruptive në historinë e këtij vendi është Porti i Durrësit.”

Sikundër çështja e tij në Strasburg, rasti Ilir Meta pritet të trokasë në dyert e gjykatës së Hagës.

 “Ne do punojmë me Partinë e Lirisë të dërgojmë dosjen në Komisionin Antitorturë në Këshillin e Europës dhe të ndjekim të gjitha instancat në OKB dhe kudo.”

Berisha paralajmëroi se në Strasburg do të dërgohen edhe dosjet e krimit elektoral që sipas tij janë mbyllur nga SPAK-u me udhër politik të Kryeministrit Rama.

Tv Klan