Politikanë, akademikë dhe historianë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në Shkup për të përkujtuar 100 vjetorin e Kongresit të Manastirit, që themeloi edhe alfabetin e gjuhës shqipe. Ceremonia u organizua në Pallatin e Armatës në Shkup. Aty morën pjesë kryeministrat Sali Berisha, Nikolla Gruevski dhe Hashim Thaçi, të cilët përkatësisht u nderuan me nga një pllakatë simbole në përkujtim të kësaj dite .
Në fjalimin e tij kryeministri Berisha, vlerësoi progresin e trevave shqiptare, 100 vjet pas këtij evenimenti të rëndësishëm të historisë kombëtare.
Sali Berisha: “Sot ne nderojmë një nga ngjarjet më kulmore në historinë tonë kombëtare, 100 vjetorin e Kongresit të Manastirit, i cili së bashku me Lidhjen e Prizrenit do të përbënin 2 zhvillimet më kulmore të kombit shqiptar. Vendimi i Kongresit të Manastirit ishte përcaktues, jo vetëm për njësimin e gjuhës sinë të bukur, por do të thosha, ishte vendimtar për njësimin, për bashkimin e kombit shqiptar rreth idealeve të bashkësisë kombëtare, faleminderit shumë!”
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci nga ana e tij, argumentoi rolin që ka luajtur ky kongres në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Hashim Thaçi: “Manastiri është kryeqytet i alfabetit të gjuhës shqipe,me alfabetin e Kongresit të Manastirit është bërë dokumenti i pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 me alfabetin e Kongresit të Manastirit është shkruar dhe deklarata e pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008. Me këtë alfabet është shkruar liria e Kosovës, me këtë alfabet është krijuar aleanca me botën e përparuar demokratike.”
Në përfundim të fjalimit të tij kryeministri Nikolla Gruevski, i cili përkufizoi shqiptarët si një popull me kulturë një histori të larmishme dhe tradita të larta përshëndeti të ftuarit duke folur në gjuhën shqipe.
Ceremonia e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit u mbyll me një koncert festiv ku morën pjesë soprano shqiptarë dhe maqedonas. /tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle