Turi “Shqipëri po ndryshon” i kryetarit të qeverisë, Sali Berisha, u ndal në Tropojë në vendlindjen e tij.  Jo më kot kryeministri mbajti një fjalim emocional që do të paraprinte shpalosjen e programit të ri qeverisës për katër vitet e ardhshme. Vizita e kryetarit të qeverisë atje do të kurorëzohej edhe vendosjen e emrit të pishtarit të demokracisë, Azem Hajdari, rrugës lidhëse së qytetit të Bajram Currit me fshatrat e grykës së lumit Valbona. 

Kryeministri tha se përulet me respekt përpara qëndresës, mbështetjes dhe  kontributit të tropojanëve në gjithë historinë e vendit. Në Tropojë shefi ekzekutivit u tha qytetareve të mbledhur në shesh, se dashuria për këtë vend e ka udhëhequr dhe frymëzuar në gjithë veprimtarinë e tij. 

Sali Berisha: “Malësia e Gjakovës, është djepi, vendi ku unë kam lindur dhe jam rritur, dhe kjo mjafton për ta dashur atë edhe sikur qindra e qindra jetë ti kesh. Por për mua, Malësia e Gjakovës është shumë më tepër se kaq. Ajo është vendi i universitetit tim të parë, të fëmijërisë sime të hershme, universiteti që më mëkojë mua me mësimin e madh se dashuria për vendin, se dashuria për kombin, se dashuria për ju është dashuria e të gjitha dashurive, është dashuria më e madhe”.

Kryeministri vlerësonte kontributin e veçante të Tropojës në përpjekjet për liri të Kosovës. Kjo zonë, siç theksoi Berisha do shërbente si bazë e lëvizjes kosovare për liri.

Sali Berisha: “Ju malësorët e Malësisë së Gjakovës nga 870 gjeri më sot qëndruam në të gjitha kryengritjet, luftërat betejat për liri, dinjitet në bashkim kombëtarë. Ja dolëm që në vitin ’98 dhe ‘99 ta shndërroni këtë trevë në bazën kryesore të lëvizjes çlirimtare të Kosovës. Por ne jemi sot të qetë, se kemi fituar luftën, kemi fituar luftën finale, Kosova është e lirë, Kosova është e pavarur, Shqipëria është në NATO, kufijtë do t’i rrafshoj me projektin tonë europian”.

Programi i demokrateve parashikon projekte të reja për zbatim për Tropojën në funksion të realizimit të objektivit Shqipëri europiane. Berisha tha se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e transformimit të madh që do të bëjnë të mundur lëvizjen pa viza në Europë si dhe anëtarësimin e plote të Shqipërisë në BE.

Sali Berisha: “Kam ardhur sot këtu për t’u dhënë ju fjalën, se nga Badeshi, Curraj i Epërm nuk do ketë rrugë të pa asfaltuar në këtë rreth. Se 4 vitet që vijnë distancën tuaj me Tiranën do ta afrojmë së paku 110 km. Do bëj çdo gjë që alpet pasuria përrallore e Tropojës dhe e Shqipërisë të shndërrohen në një të mirë, në një vlerë për gjithsecilin prej jush dhe mbarë shqiptarë, rrugë të asfaltuara në të dy drejtimet … Ju garantoj se qeveria ime do ti financoj ato për çdo projekt që ju të paraqisni”…./tvklan.al